Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka reaguar në prag të vendimit që pritet të merret nga Gjykata Speciale në Hagë për ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Më 16 shtator pritet të përfundojë procesi gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët ndodhen prej vitesh në paraburgim në Hagë.
Hamza e cilësoi këtë periudhë si një proces të gjatë dhe të dhimbshëm për Kosovën, duke theksuar se katër ish-krerët e UÇK-së kanë kaluar gjashtë vite larg familjeve dhe vendit.
Sipas kreut të PDK-së, pritshmëria është që 16 shtatori të shënojë përfundimin e këtij kapitulli dhe kthimin e tyre në Kosovë. “Pritshmëritë dhe kërkesat tona janë të qarta: drejtësi dhe lirim. Pas gjashtë vitesh, 16 shtatori duhet të jetë dita kur mbyllet ky kapitull i dhimbshëm për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin tonë”, deklaroi Hamza.
Ai shtoi se Kosova pret drejtësi dhe se katër ish-udhëheqësit e UÇK-së duhet të kthehen në shtëpi pas përfundimit të procesit./mxh
