“Protesta me shumë gjasa është në një moment pjekjeje. Protesta ka arritur maksimumin e pjesëmarrjes së saj. Po t’i mbledhësh të gjithë ata që kanë dalë, aty mund të kenë dalë 70 mijë veta të ndryshëm. Është një moment ku protesta ka nevojë për të patur një strategji, një organizonim më të qartë, mendoj që në këtë moment instinktivisht edhe ata që janë iniciator, nuk është e qartë nëse është një grup apo dy tre grupe, se kanë mbivendosje. Unë mendoj që avantazhi i protestës, ajo që e bën të fortë, është fakti që përfaqësimi nuk ngurtësohet me disa njerëz ose një grup njerëzish. Në momentin që protesta mund të kalojë në një përfaqësi, protesta mund të organizohet, por jo të përfaqësohet. Në këtë moment po ia del edhe duke patur jo domosdoshmërish dakordësi të plotë. Aty ka demokratë që janë në protestë që nuk janë dakord me ‘Rama n’burg, Berisha n’burg’, ata kanë versionin e tyre ‘Rama n’burg, Belinda n’burg”, por sërish ata janë në protestë. Protestës i duhet të mendojë, të reflektojë.”
Kështu u shpreh pedagogu Ermal Hasimja në emisionin “Top Story”, duke komentuar protestën jopolitike të qytetarëve që vijon prej 19 ditësh.
Nga ana tjetër, gazetari Flogert Muça ngriti shqetësime për mënyrën se si po zhvillohet protesta dhe rrezikun e banalizimit të saj.
“Problemi është që aty çdo gjë mund të trokasë në një banalitet shumë të shpejtë, nëse nuk e merr në dorë një segment intelektualësh. Në momentin që një protestë e merr në dorë një sindromë Tik Tok-u, dhe njerëzit shkojnë pas Berihait, në momentin që njëri thërret shkojnë pas Berihait, do vrasë ëndrra. Nuk mund të kthehet një podium me fjalët e fundit të fjalorit. Ata që kishin ikur në Rinas kishin pirë birra dhe bërtisnin në Tik Tok, për mua ishte një zhgënjim pasi kisha pasur imazhin e frymës europiane.”
Diskutimi në studio u përqendrua tek e ardhmja e protestës, mënyra e organizimit të saj dhe sfidat për ruajtjen e karakterit fillestar të lëvizjes qytetare në një moment të konsideruar vendimtar./a.d
