Ndërhyrja amerikane në politikën shqiptare dhe goditja e krimit të organizuar po shihen si një shans historik për pastrim dhe rindërtim të shtetit. Hetimet, arrestimet dhe ekspozimi publik i abuzimeve kanë krijuar idenë se më në fund drejtësia po lëviz. Por ndërsa institucionet tronditen, një element themelor mungon në këtë proces: shoqëria. Pa presion qytetar, pa reagim publik dhe pa një kërkesë të qartë për ndryshim, çdo reformë mbetet e brishtë dhe e përkohshme.
Pyetja që shtrohet çdo ditë është e thjeshtë dhe e dhimbshme: ku është populli? Pse nuk proteston? Pse nuk ngrihet kundër korrupsionit që ia ka varfëruar jetën, ia ka marrë shpresën dhe ia ka detyruar fëmijët të ikin nga vendi? Heshtja nuk është thjesht lodhje apo frikë; ajo po shndërrohet në bashkëfajësi. Një shoqëri që fle, i hap rrugë çdo abuzimi.
E vërteta e hidhur është se një pjesë e madhe e shoqërisë shqiptare nuk e urren korrupsionin, sepse është bërë pjesë e tij. Nga ryshfeti i vogël te favori i radhës, nga “miku” në institucion te “një dorë që të nxjerr punë”, korrupsioni është normalizuar. Siç tha Arjan Çani, “të gjithë gërmojnë diçka, prandaj jetojmë këtu”. Kjo fjali nuk është cinike, por pasqyruese e një realiteti ku morali është zëvendësuar nga interesi.
Shqiptarët nuk po japin asnjë sinjal se duan ndryshim. Ata nuk kërkojnë një sistem të ndershëm, por një sistem ku të dinë kë të njohin. Nuk luftojnë për rregulla të barabarta, por presin momentin kur të rreshtohen në anën fituese. Sot heshtin, nesër përshtaten. Sot kritikojnë politikën, nesër kërkojnë favore prej saj. Ky është cikli që e mban vendin peng.
Pa një shoqëri aktive, çdo pastrim politik do të prodhojë vetëm elita të reja me zakone të vjetra. Ndryshimi nuk vjen vetëm nga ambasadat, prokuroritë apo arrestimet spektakolare, por nga qytetarë që refuzojnë të jenë pjesë e lojës. Derisa kjo të ndodhë, Shqipëria do të vazhdojë të sillet në rreth, duke pritur gjithmonë shpëtimin nga jashtë dhe duke e sabotuar atë nga brenda. m.p.
