Last Updated on 22/06/2026 by EL
Hetimet për vdekjen e themeluesit të kompanisë së modës Mango, Isak Andic, kanë hyrë në një fazë të re, pasi gjyqtarja që drejton çështjen ka urdhëruar marrjen në pyetje të një sërë dëshmitarësh të rinj dhe një rindërtim teknik të rënies fatale që ndodhi në Montserrat më 14 dhjetor 2024.
Mes personave që do të dëshmojnë janë terapistja e familjes, vajzat e biznesmenit Sarah dhe Judith Andic, partnerja e tij, drejtori ekzekutiv i Mango-s, Toni Ruiz, si dhe disa efektivë të njësisë malore të policisë katalanase Mossos d’Esquadra.
Masa të reja hetimore janë marrë në kuadër të çështjes ku Jonathan Andic, djali i madh i biznesmenit dhe personi i vetëm që e shoqëronte gjatë ecjes në mal ditën e ngjarjes, vazhdon të jetë nën hetim për dyshime mbi përfshirjen e tij në vdekjen e të atit.
Gjykata ka urdhëruar gjithashtu identifikimin dhe marrjen në pyetje të disa alpinistëve dhe kalimtarëve që patën kontakt me Jonathan Andic menjëherë pas aksidentit. Njëri prej tyre dyshohet se i ka ardhur në ndihmë menjëherë pas rënies së biznesmenit.
Një element kyç i hetimit janë bërë mesazhet e shkëmbyera mes Isak Andic, djalit të tij Jonathan dhe terapistes familjare gjatë seancave të terapisë. Prokuroria argumenton se ato tregojnë një përkeqësim të marrëdhënieve mes babait dhe të birit, ndërsa mbrojtja këmbëngul se bisedat duhen interpretuar në kontekstin terapeutik.
Ndër mesazhet që po analizohen është edhe një ku Jonathan Andic shkruante: “Nuk më habit që mendove se isha i aftë të të vrisja”, një frazë që avokatët e tij e konsiderojnë metaforike dhe tipike për gjuhën e përdorur në terapinë psikoanalitike.
Sipas dokumenteve të dosjes, motrat e Jonathanit kanë minimizuar konfliktet familjare. Sarah Andic ka deklaruar se nuk kishte parë kurrë debate serioze mes vëllait dhe babait të saj, ndërsa Judith Andic ka folur vetëm për “mosmarrëveshje të rastësishme, por jo serioze”.
Judith ka shtuar se para vdekjes, Isak Andic kishte mbledhur tre fëmijët e tij për t’i informuar mbi planin për krijimin e një fondacioni dhe se nuk kishte asnjë qëllim të përjashtonte Jonathanin nga trashëgimia.
Përveç dëshmive të reja, gjyqtarja ka urdhëruar një rindërtim teknik të ngjarjes me pjesëmarrjen e ekspertëve mjeko-ligjorë, policisë shkencore dhe specialistëve që kanë analizuar vendin e aksidentit. Qëllimi është të verifikohet nëse plagët e pësuara nga biznesmeni përputhen me dinamikën e rënies dhe me gjurmët e gjetura në terren.
Ekspertët do të analizojnë gjithashtu një orë dore, një xhaketë, gjurmë gjaku dhe shenja të tjera të zbuluara në shtegun malor të Montserratit ku ndodhi incidenti.
Ndërkohë, gjykata ka kërkuar edhe dosjen e plotë mjekësore dhe farmaceutike të Isak Andic. Mbrojtja argumenton se problemet shëndetësore, përfshirë osteoartritin nga i cili vuante biznesmeni, mund të kenë ndikuar në një rënie aksidentale, ndërsa prokuroria beson se dokumentacioni mund të ndihmojë në zbardhjen e plotë të rrethanave të vdekjes.
Hetimet mbeten të hapura, ndërsa gjykata ka refuzuar për momentin kërkesën e prokurorisë për sekuestrimin e të gjitha pajisjeve elektronike të Jonathan Andic, duke vlerësuar se një masë e tillë nuk është ende e justifikuar mjaftueshëm./FC
