Përgatiti: Leonard Veizi
Në vitin 1822, në kulmin e Luftës Greke të Pavarësisë, një nga fortesat më strategjike të Peloponezit, Akrokorinthi – Korinthi i Epërm – ra në duart e kryengritësve grekë, nën udhëheqjen e Theodor Kolokotronit. Marrja e kësaj kështjelle, e cila kontrollonte rrugët tokësore mes Greqisë qendrore dhe Moresë, nuk ishte thjesht një fitore ushtarake, por një moment kyç që forcoi moralin e revolucionit dhe dobësoi ndjeshëm praninë osmane në jug të Ballkanit.
Kolokotroni ishte figura qendrore e kësaj fitoreje. I njohur si “Gero i Moresë”, ai vinte nga një familje arvanitase dhe fliste arvanishten, një dialekt arbëror i afërt me shqipen e sotme. Ky fakt, shpesh i lënë në hije nga historiografia nacionaliste, dëshmon për përbërjen shumëetnike të shoqërisë që ngriti Revolucionin Grek dhe për rolin vendimtar të komuniteteve arvanitase në themelimin e shtetit modern grek.
Rruga e Kolokotronit drejt udhëheqjes revolucionare nisi herët. Që në moshën 14-vjeçare ai iu bashkua çetave kryengritëse të Moresë, ndërsa vetëm një vit më vonë u shpall “kapetanios”, komandant i një njësie të armatosur. Aktiviteti i tij gueril e vuri shpejt në shënjestër të autoriteteve osmane, duke e detyruar të largohej dhe të strehohej në ishujt e Jonit. Aty, fati i tij u ndërthur me zhvillimet e mëdha evropiane të kohës.
Në vitin 1809, Kolokotroni iu bashkua këmbësorisë greke në shërbim të ushtrisë britanike, e cila luftonte kundër forcave të Napoleon Bonapartit në Mesdhe. Ky përvojë ushtarake, e rrallë për një kryengritës ballkanik të kohës, e pajisi atë me njohuri moderne mbi organizimin, disiplinën dhe strategjinë ushtarake. Po aq e rëndësishme ishte edhe ndikimi ideologjik: Revolucioni Francez dhe figura e Napoleonit lanë gjurmë të thella në mendësinë e tij. Në autobiografinë e vet, Kolokotroni shkruan se Revolucioni Francez “i hapi sytë botës”, duke rrëzuar idenë se mbretërit ishin perëndi mbi tokë dhe se pushteti i tyre ishte i pakontestueshëm.
Fitorja në Akrokorinth nuk mund të kuptohet pa kontekstin më të gjerë të rolit arvanitas në Greqi. Arvanitasit ishin pasardhës të arbërve që u zhvendosën drejt territoreve greke në disa valë migrimi, nga shekulli XIII deri në shekullin XVI. Këto lëvizje u nxitën nga arsye të ndryshme: kërkesa e sundimtarëve bizantinë dhe latinë për ushtarë dhe kolonë në zona të shkreta nga luftërat dhe epidemitë, si edhe përpjekja për t’iu shmangur presionit të islamizimit pas pushtimit osman. Fillimisht të vendosur në Thesali, më pas në Atikë dhe në fund në Peloponez, arvanitasit u integruan gradualisht në shoqërinë greke, duke ruajtur për shekuj gjuhën dhe zakonet e tyre.
Ndikimi i tyre në jetën politike të Greqisë moderne ka qenë i konsiderueshëm. Vendit i kanë dhënë nëntë kryeministra, një president dhe madje edhe një diktator, gjeneralin Theodor Pangalo (1878–1952), gjithashtu me prejardhje arvanitase. Por mbi të gjitha, arvanitasit lanë gjurmë të pashlyeshme në Luftën e Pavarësisë.
Kjo u reflektua edhe në kulturën politike të kohës. Poema revolucionare “Thourios” e Rigas Feraios, një nga figurat më të rëndësishme të Rilindjes Greke, ishte një thirrje e drejtpërdrejtë për të gjithë popujt e nënshtruar të rajonit – përfshirë arvanitasit – që të ngriheshin kundër Perandorisë Osmane. Dhe ata iu përgjigjën kësaj thirrjeje. Gjatë luftës, shumë prej komandantëve dhe heronjve që sot konsiderohen simbole të kombit grek kishin origjinë arvanitase: Kundurioti, Xhavella, Boçarët, Bubulina, Miauli dhe vetë Kolokotroni.
Marrja e Akrokorinthit në vitin 1822 ishte, në këtë kuptim, më shumë se një sukses ushtarak. Ajo ishte shprehje e një aleance historike mes kulturave, gjuhëve dhe përvojave të ndryshme ballkanike, të bashkuara nga ideja e lirisë. Një kujtesë se shtetet moderne nuk lindin nga një burim i vetëm etnik, por nga ndërthurja e historive, sakrificave dhe identiteteve që historia shpesh përpiqet t’i thjeshtojë.
