Në prill të vitit 1969, një gjykatë në Shtetet e Bashkuara dënoi me burgim të përjetshëm Sirhan Sirhan për vrasjen e senatorit amerikan Robert F. Kennedy, një nga figurat më premtuese të politikës amerikane të kohës.
Vrasja kishte ndodhur një vit më parë, më 5 qershor 1968, në Los Angeles, menjëherë pasi Kennedy kishte mbajtur një fjalim pas fitores në zgjedhjet paraprake presidenciale në Kaliforni. Ngjarja tronditi opinionin publik dhe i dha një goditje të fortë klimës politike amerikane, e cila ishte tashmë e tensionuar nga protestat dhe konfliktet e kohës.
I dënuari, Sirhan Sirhan, kishte lindur në Jeruzalem në vitin 1944. Me origjinë palestineze dhe nënshtetësi jordaneze, ai kishte emigruar në Shtetet e Bashkuara që në fëmijëri. Profili i tij politik ishte i lidhur ngushtë me kundërshtimin e fortë ndaj Izraeli dhe politikave të tij në Lindjen e Mesme.
Në një intervistë të vitit 1989 me gazetarin David Frost, Sirhan deklaroi se arsyeja kryesore e aktit të tij ishte mbështetja që Robert Kennedy i jepte Izraelit. Kjo dëshmi e mëvonshme hodhi dritë mbi motivet politike që ai pretendonte se e kishin shtyrë drejt atentatit.
Megjithatë, rasti nuk u mbyll përfundimisht në aspektin juridik. Në vitin 2011, avokatët mbrojtës të Sirhanit kërkuan rihapjen e çështjes, duke pretenduar se prova të reja mund të ndryshonin rrjedhën e gjykimit dhe se të drejtat e tij ligjore ishin shkelur gjatë procesit fillestar.
Sot, më shumë se gjysmë shekulli pas ngjarjes, vrasja e Robert F. Kennedy mbetet një nga episodet më të debatueshme dhe të errëta të historisë moderne amerikane, e mbështjellë ende me pikëpyetje dhe teori të ndryshme mbi rrethanat e saj.
Përgatiti: L.Veizi
