Shkurti i vitit 1986 shënoi një kthesë dramatike në historinë e Filipinet. Pas dy dekadash në pushtet, presidenti Ferdinand Marcos u detyrua të largohej nga vendi, ndërsa rrugët e Manilës u mbushën me turma qytetarësh që kërkonin fundin e një regjimi autoritar. Në vend të tij, në krye të shtetit u ngjit Corazon Aquino, duke u bërë presidentja e parë grua në historinë e vendit.
Ngjarjet njihen si Revolucioni i Fuqisë Popullore – ose Revolucioni EDSA, sipas bulevardit kryesor të Manilës ku u përqendruan protestat masive. Për katër ditë rresht, qindra mijëra qytetarë, mes tyre priftërinj, murgesha, studentë dhe ushtarë të shkëputur nga regjimi, u përballën pa armë me tanket dhe forcat besnike të Marcosit.
Sundimi i Marcosit, i nisur në vitin 1965, kishte kaluar nga një presidencë formalisht demokratike në një regjim të shpallur nën ligjin ushtarak që nga viti 1972. Gjatë viteve të tij në pushtet u akuzua për korrupsion masiv, shkelje të të drejtave të njeriut dhe përqendrim ekstrem të pushtetit në duart e familjes së tij. Zgjedhjet e parakohshme të vitit 1986, të shpallura nga vetë Marcos për të legjitimuar pushtetin, u shndërruan në shkëndijën e fundit të krizës, pasi opozita dhe vëzhguesit ndërkombëtarë denoncuan manipulime të hapura.
Kur figura të larta të ushtrisë dhe të Kishës Katolike deklaruan mbështetje për opozitën, regjimi filloi të shembet nga brenda. Presioni popullor dhe izolimi ndërkombëtar e detyruan Marcosin të arratisej më 25 shkurt 1986, duke i dhënë fund një epoke 20-vjeçare.
Fitorja e Corazon Aquino-s u përjetua si një triumf i protestës paqësore ndaj autoritarizmit. Mediat ndërkombëtare e quajtën “revolucioni që befasoi botën” – një shembull i rrallë në atë kohë se si një regjim i rrënjosur mund të rrëzohej jo përmes luftës civile, por përmes mobilizimit masiv qytetar.
Revolucioni i Fuqisë Popullore u bë frymëzim për lëvizje të tjera demokratike në fundin e shekullit XX. Ai tregoi se pushteti i gjatë nuk është domosdoshmërisht pushtet i përjetshëm – dhe se kur frika thyhet, historia merr kthesa të papritura.
Përgatiti: L.Veizi
