Përgatiti: Leonard Veizi
Mëngjesin e 27 gushtit 1982 koloneli Atilla Altıkat, atasheu ushtarak i Turqisë në Kanada, po udhëtonte me makinën e tij drejt ambasadës. Ishte rreth orës 9:00 kur, në një kryqëzim të Island Park Drive, pranë lumit Otava, ndaloi në semafor. Pak çaste më vonë, një makinë tjetër u afrua pranë tij. Nga automjeti zbriti një person i armatosur. Ai iu afrua nga ana e pasagjerit dhe hapi zjarr përmes xhamit të makinës së diplomatit. Raportet e kohës flasin për një pistoletë Browning 9 mm dhe rreth 13 të shtëna. Altıkat u godit për vdekje në vend. Atentatori hodhi armën dhe u largua me vrap drejt një zone me shkurre, ndërsa makina me të cilën kishte mbërritur u largua me shpejtësi.
Policia kanadeze nisi menjëherë kërkimet. Një person u ndalua pak pas atentatit, por u lirua pas marrjes në pyetje. Autorët nuk u identifikuan dhe çështja mbeti e pazgjidhur. Dokumentet e kohës dëshmojnë se, përmes një telefonate në zyrën e Agjencisë France-Presse në Montreal, përgjegjësinë për atentatin e mori një grup që e quante veten Komandot e Drejtësisë për Gjenocidin Armen (JCAG).
Fushata
Vrasja e Altıkat nuk ishte një episod i izoluar. Ajo ndodhi në kulmin e një fushate ndërkombëtare atentatesh kundër diplomatëve dhe përfaqësuesve turq, e nisur në vitet 1970 nga organizata militante armene, përfshirë ASALA-n dhe JCAG-në. Grupet pretendonin se sulmet ishin hakmarrje për vrasjet masive të armenëve në Perandorinë Osmane gjatë vitit 1915 dhe kërkonin që Turqia të pranonte përgjegjësinë, të ofronte dëmshpërblime dhe të mbështeste krijimin e një atdheu armen.
Në vitin 1982, kjo fushatë kishte mbërritur edhe në Kanada. Vetëm disa muaj para vrasjes së Altıkat, më 8 prill, Kani Güngör, këshilltar tregtar i ambasadës turke në Otavë, ishte qëlluar dhe plagosur rëndë në garazhin e banesës së tij. Më 27 gusht, objektivi ishte tashmë një zyrtar i rangut të lartë diplomatik dhe ushtarak.
Altıkat kishte qenë oficer i Forcave Ajrore Turke dhe ishte caktuar në Otavë në vitin 1981. Ishte 45 vjeç. Përpara tij shtrihej një karrierë ushtarake, ndërsa në Kanada ai përfaqësonte Turqinë në cilësinë e atasheut ushtarak. Por pas atentatit, në qendër të historisë nuk mbeti vetëm diplomati: mbeti edhe familja që la pas.
Gruaja e tij, Ayla, mbeti e ve. Vajza Zeynep ishte 17 vjeç, ndërsa djali Göker vetëm 4 vjeç. Një vit më vonë, familja e Altıkat do të përballej ende me të njëjtën pyetje që mbeti pa përgjigje: kush e kishte vrarë dhe pse askush nuk ishte vënë para drejtësisë?
Goditja
Vrasja e kolonelit u bë një ngjarje e veçantë edhe në historinë e Kanadasë. Qeveria kanadeze e ka cilësuar Altıkat të vetmin diplomat të huaj të vrarë në Kanada në një akt terrorizmi ndërkombëtar. Kryeministri i atëhershëm Pierre Trudeau e dënoi fuqishëm atentatin. Për Kanadanë, një vend që në atë kohë shihej si një nga shoqëritë më të sigurta të Perëndimit, vrasja në mes të Otavës ishte një goditje e drejtpërdrejtë nga vala e terrorizmit politik ndërkombëtar.
Atentati ishte pjesë e një serie shumë më të gjerë. Sipas burimeve turke, gjatë valës së sulmeve të viteve 1973–1986 u vranë 42 diplomatë turq, ndërsa në sulme të ndryshme pati edhe viktima të huaja. Megjithatë, përgjegjësia për sulme të veçanta nuk ishte gjithmonë e njëjtë: disa atentate iu atribuuan ose u morën përsipër nga JCAG, të tjera nga ASALA dhe organizata të tjera militante armene.
Në vendin ku u vra Altıkat, kujtesa e atentatit nuk u zhduk. Më 20 shtator 2012, 30 vjet pas vrasjes, Kanadaja dhe Turqia inauguruan një monument për diplomatët dhe nëpunësit publikë të vrarë gjatë shërbimit, me një përkushtim të veçantë për kolonelin Altıkat. Monumenti ndodhet pikërisht pranë vendit ku ai u qëllua. Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë ministrat e jashtëm të të dy vendeve, John Baird dhe Ahmet Davutoğlu, si edhe e veja dhe dy fëmijët e Altıkat.
Epilog
Sot, atentati i 27 gushtit 1982 mbetet një nga episodet më të errëta të historisë diplomatike të Kanadasë. Një makinë e ndalur në semafor, disa të shtëna dhe një burrë që nuk arriti kurrë në ambasadë. Pas tyre mbetën një familje, një hetim pa autorë të dënuar dhe një monument që kujton se edhe rrugët e qeta të një kryeqyteti mund të bëhen, brenda pak sekondash, skenë e terrorizmit politik.
