Kockat e tyre ishin dy herë më të forta se ato të popullsisë mesatare, megjithëse hanin të njëjtën dietë me pak proteina. Pra, cili ishte sekreti i aftësisë së tyre? Ndoshta një pije energjike e pasur me hi.
Elisabetta Intini
Gladiatorët rrallë jetonin mbi moshën tridhjetë vjeç. Kockat e tyre deformoheshin me kalimin e kohës për shkak të stërvitjes së rëndë, dhe mbetjet e tyre tregojnë fraktura e trauma në kokë.
Shekuj përpara shfaqjes së pijeve moderne energjike, atletët më të famshëm të antikitetit – gladiatorët – kishin zbuluar tashmë një mënyrë për t’u rikuperuar pas stërvitjeve të vështira: me një pije energjike të mbushur me… hi.
Kjo është hipoteza e një grupi arkeologësh nga Universiteti Mjekësor i Vjenës, të cilët kanë hedhur dritë edhe mbi dietën e luftëtarëve të lashtë.
Pak mish
Studimi, i botuar në PLOS ONE, hedh poshtë besimin e përhapur se gladiatorët kishin një dietë të ndryshme nga pjesa tjetër e popullsisë romake.
Edhe ata ushqeheshin kryesisht me perime, bishtajore dhe drithëra — shumë ndryshe nga teprimet e atyre që sot ndërtojnë muskuj me biftekë.
Të dhëna të reja nga kimia
Hulumtimi bazohet në analizën e eshtrave të 53 individëve, përfshirë 22 gladiatorë, të cilët vdiqën midis shekujve II dhe III pas Krishtit, në moshën 20–30 vjeç.
Mbetjet u zbuluan në vitin 1993, në një varr masiv në Efes (Turqia e sotme), jo shumë larg një stadiumi gladiatorësh.
Ekipi i udhëhequr nga Fabian Kanz, antropolog mjeko-ligjor në Universitetin e Vjenës, analizoi izotopet e karbonit, squfurit dhe azotit në kolagjenin e kockave, si dhe nivelet e stronciumit dhe kalciumit në pjesën minerale të tyre.
Bimët dhe kafshët përmbajnë këto izotope në sasi të ndryshme, dhe përqendrimi i tyre në kocka mund të zbulojë dietën tipike të një individi.
Shumë drithëra
Bazuar në rezultatet e analizave, gladiatorët duket se konsumonin sasi të mëdha elbi dhe gruri – fakt i konfirmuar edhe nga dëshmitë e historianëve antikë, të cilët i quanin hordearii, ose “konsumatorë elbi”.
Çuditërisht, kockat nuk treguan nivele të larta të izotopit 15 të azotit, tipik për bishtajoret si thjerrëzat dhe fasulet. Kjo mund të shpjegohet me faktin se individët e studiuar mund të kenë vdekur përpara se “firma” kimike e kësaj substance të shfaqej plotësisht në kockat e tyre.
Një tepricë mineralesh
Kockat e gladiatorëve u gjetën dy herë më të pasura me stroncium dhe kalcium se ato të individëve të zakonshëm, pavarësisht dietës thuajse identike.
Kjo i shtyu studiuesit të mendojnë se, pas stërvitjes, atletët pinin një pije rigjeneruese të përshkruar ndonjëherë në tekstet e lashta – e përbërë nga ujë, uthull dhe hi druri.
Plini Plaku e përmend këtë përzierje në veprën e tij “Historia Natyrore”.
Nga ana tjetër, ata kishin edhe dhëmbë të dëmtuar, siç dëshmojnë disa prej mbetjeve të gjetura.
Akti i fundit
Detaj i një mozaiku që përshkruan gladiatorin Kupid duke u vrarë nga kundërshtari i tij
(shenja “O” e kryqëzuar ishte shkurtim për obiit, “ai vdiq”).
© Instituti Ludwig Boltzmann për Kërkime Arkeologjike (LBI ArchPro) dhe 7reasons.
Jo aq e çuditshme
Hiri përdorej zakonisht në përgatitje farmaceutike dhe në gatim, për t’u dhënë pjatave një shije tymi.
I shtuar në pijet e gladiatorëve, ai mund t’u siguronte kockave një dozë shtesë stronciumi.
Sa për uthullën, ajo nuk ishte aq e keqe sa mund të duket: nëse ishte e cilësisë së mirë, do t’i jepte pijes një shije të ngjashme me limonadën.
Burimi: Focus Storia/ Përgatiti për botim: L.Veizi
