Ishulli i vogël i Antiparosit, në zemër të Cikladeve, fsheh një nga thesaret më të jashtëzakonshme natyrore të Greqisë: Shpellën e Antiparosit, e cila besohet të jetë shpella më e vjetër në vend, me një histori që shtrihet rreth 45 milionë vite pas.
Vetëm pak minuta larg ishullit të Parosit, Antiparosi është i njohur për plazhet e qeta, mikpritjen tradicionale dhe tavernat autentike greke. Ishulli është gjithashtu një destinacion i preferuar pushimesh për çiftin e famshëm hollivudian Rita Wilson dhe Tom Hanks, të cilët kanë një shtëpi atje.
Megjithatë, atraksioni më i veçantë mbetet shpella e famshme, e vendosur në anën juglindore të ishullit, në kodrën e Agios Ioannis. Hyrja e saj ruhet nga një kishë e vogël e shekullit XVIII, e njohur si Agios Ioannis Spiliotis, ose Shën Gjoni i Shpellës.
Shpella ndodhet 177 metra mbi nivelin e detit dhe ka tërhequr vizitorë prej mijëra vitesh. Besohet se personi i parë i dokumentuar që e vizitoi ishte poeti lirik Archilochus nga Parosi, i cili jetoi mes viteve 728 dhe 650 para Krishtit.
Për shekuj me radhë, banorët e ishullit e dinin ekzistencën e saj, por brendësia mbeti pothuajse e paeksploruar deri në vitin 1673, kur markezi francez de Nointel, ambasador i Francës në Kostandinopojë, mbërriti në Antiparos për të kërkuar artefakte të lashta.
Ai dhe ekipi i tij zbritën me litarë në thellësitë e shpellës me shpresën për të gjetur thesare arkeologjike. Në vend të tyre, zbuluan një mrekulli natyrore të rrallë, me stalaktite dhe stalagmite mbresëlënëse që krijojnë një peizazh unik nëntokësor.
I mahnitur nga pamja, dhe duke qenë periudha e Krishtlindjeve, markezi kremtoi një meshë mbi një stalagmit që i ngjante një altari. Më pas ai la një mbishkrim që mund të lexohet ende sot: “Këtu vetë Krishti kremtoi meshën e mesnatës në Krishtlindjet e vitit 1673”.
Sot, vizitorët nuk kanë nevojë të përdorin litarë për të eksploruar shpellën. Një shkallare me 411 hapa i çon ata më shumë se 100 metra në thellësi të saj, duke u dhënë mundësinë të admirojnë nga afër një nga formacionet natyrore më spektakolare të Greqisë.
Shpella e Antiparosit mbetet një nga destinacionet më të veçanta të Egjeut, duke kombinuar historinë, mitet dhe bukurinë natyrore në një përvojë të paharrueshme./ad
