Hollywoodi nderoi heronjtë e tij të vërtetë të premten, kur Departamenti i Zjarrfikësve të Los Angelesit (LAFD) mori një Çmim Ekselence në Hollywood Walk of Fame, falë një letre të shkruar me dorë nga një nxënëse 14-vjeçare.
Kamionë zjarrfikësish u rreshtuan përgjatë Hollywood Boulevard, nën një flamur amerikan, ndërsa Eniola Taiwo, nxënëse e klasës së tetë nga Konektikati, letra e së cilës nxiti këtë nderim, udhëtoi krah për krah me shefin e LAFD-së, Jaime Moore, mes duartrokitjeve të zjarrfikësve dhe përfaqësuesve të komunitetit.
Taiwo i tha turmës se nuk e kishte imagjinuar kurrë që fjalët e saj do të kishin jehonë në mbarë vendin. “Nuk mendoja se dikush do t’i kushtonte vëmendje diçkaje të shkruar nga një nxënëse e shkollës së mesme të ulët,” tha ajo, duke shpjeguar se dashuria e saj për filmat dhe Walk of Fame e frymëzoi të kërkonte që zjarrfikësit të nderoheshin si yje të Hollywoodit.
“Ishte letra e saj që frymëzoi gjithçka që po festojmë sot,” tha shefi i LAFD-së, Jaime Moore, duke theksuar se ky vlerësim nuk simbolizon një akt të vetëm heroik, por “një karrierë plot dhembshuri” të zjarrfikësve që shërbejnë në të gjithë Los Angelesin.
Ceremonia u mbajt gati një vit pas zjarreve shkatërruese të Palisades dhe Eaton. Moore shtoi se mësimet e nxjerra nga ato tragjedi po përdoren për ta bërë Los Angelesin një vend më të sigurt për të gjithë banorët, veçanërisht në zonat kufitare mes natyrës dhe qytetit./mxh
