Last Updated on 18/02/2026 by Anisa
Ish kryetarja e Gjykatës Kushtetuese zonja Holta Zaçaj po kandidon për një prej vendeve për Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Ajo e mbaroi mandatin kushtetues në fundin e muajit nëntor 2025, pra vetëm tre muaj më parë.
Posti i ri është post i lartë publik, lidhet me një institucion buxhetor, kërkon procedurë me seancë dëgjimore (komisioni parlamentar), miratimin politik nga mazhoranca dhe votë politike në parlament.
Bazuar në databazën e GJK, si gjyqtare zonja Zaçaj edhe gjatë vitit 2025 ka shqyrtuar raste të vendimmarrëse me palë Kuvendin e Shqipërisë, deputetë të veçantë apo Banka e Shqipërisë. Vendimet e saj janë konsideruar të pavarura, profesionale dhe në pozitat e individit me rol kushtetues, larg interesave politike dhe personale.
Megjithatë, fakti se brenda një periudhe kaq të shkurtër kohore ajo kërkon votën politike të mazhorancës dhe Kuvendit, synon një post në një institucion që ka qenë palë në procesin gjyqësor, si dhe kërkon edhe votën e deputetëve që kanë qenë nominalisht objekt gjykimi në GJK për hetim ose papajtueshmëri mandati, e bën problematike kalimin e saj në Këshillin Mbikëqyrës të BSH dhe lejon të ngrihen shqetësime e dyshime të arsyeshme mbi një rast hipotetik edhe konflikti interesi.
Në vendet e BE ka vende me legjislacion kufizues për raste të tilla, siç ka vende që pa pasur kufizime të shprehura ligjore aplikojnë standarde morale dhe integriteti të zyrtarit të lartë, por në tërësi, praktika e vendeve të BE dhe disa opinione të Komisionit të Venecias promovojnë evitimin e praktikave të tilla kur një gjyqtar kushtetues në përfundim të mandatit përmes votës politike kërkon një post me natyrë ekzekutive.
