Bill Gates ka pranuar publikisht se ishte gabim të kishte kontakte me Jeffrey Epstein, duke e cilësuar veten “budalla” për kohën që kaloi me të. Themeluesi i Microsoft shprehu keqardhjen për çdo lidhje që ka pasur me financierin e dënuar për abuzime seksuale.
Ky reagim vjen pas publikimit të disa dokumenteve, ku përmendej një email i vitit 2013. Gates tha se mesazhi, që duket sikur i drejtohej atij me përshëndetjen “I dashur Bill”, nuk i ishte dërguar kurrë. Sipas tij, Epstein e kishte shkruar vetë mesazhin për përdorim personal dhe nuk kishte lidhje me komunikimin mes tyre. Në email, Epstein shfaqte pakënaqësi ndaj Gates dhe përmendte çështje personale, duke aluduar edhe për një kërkesë të supozuar për antibiotikë që do t’i jepeshin fshehurazi ish-bashkëshortes së Gates, Melinda French Gates.
Gjatë një interviste në Australi, miliarderi theksoi se nuk kishte asnjë lidhje me përmbajtjen e mesazhit dhe se kontaktet e tij me Epstein ishin shumë të kufizuara, kryesisht në disa darka. Ai mohoi kategorikisht çdo përfshirje tjetër, duke shtuar se nuk ka vizituar kurrë ishullin privat të Epstein dhe nuk ka pasur asnjë lidhje me veprimet kriminale të tij.
“Sa më shumë fakte dalin në dritë, aq më e qartë bëhet se ajo njohje ishte gabim, por nuk kishte asnjë lidhje me këto veprime të rënda,” përfundoi Gates./mxh
