Publikimi i dosjeve që lidhen me Jeffrey Epstein ka rikthyer vëmendjen e opinionit publik te disa figura të njohura të showbiz-it ndërkombëtar, mes të cilave përmendet edhe emri i Jay-Z. Edhe pse ndaj reperit dhe producentit amerikan nuk ekziston asnjë akuzë zyrtare apo provë që e implikon drejtpërdrejt, përmendja e tij në dokumente ka mjaftuar për të ndezur reagime të shumta në rrjetet sociale.
Jay-Z, një nga emrat më të fuqishëm në industrinë muzikore dhe të biznesit të argëtimit, është prej vitesh i përfshirë në rrethe elitare, aktivitete biznesi dhe evente publike të nivelit të lartë, çka e ka bërë shpesh subjekt spekulimesh.
Në rrjet po qarkullojnë pretendime se disa personazhe të njohur të industrisë së argëtimit, përfshirë Rihanna dhe Kim Kardashian, kanë hequr Jay-Z nga lista e ndjekjeve në Instagram pas publikimit të dosjeve. Paralelisht, përdorues të shumtë raportojnë se si Jay-Z ashtu edhe bashkëshortja e tij, Beyoncé, kanë regjistruar një rënie të ndjeshme të ndjekësve në platformat sociale.
Deri më tani, nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga palët e përfshira lidhur me këto lëvizje në rrjetet sociale, ndërsa vetë Jay-Z nuk ka reaguar publikisht për përmendjen e emrit të tij në dokumentet në fjalë.
Dosjet Epstein kanë rihapur debatin mbi përfshirjen e emrave të njohur në materiale hetimore, duke nxitur diskutime të gjera publike edhe në raste kur përmendja nuk shoqërohet me akuza apo procedura ligjore konkrete./mxh
