Last Updated on 04/05/2026 by Kesjana
Nga ARTUR AJAZI
Kush ka ngritur “kokën” dhe kush ka “llapur më shumë se ç’duhet”, është flakur, është denigruar, është akuzuar, është sikterrisur, pikësëpari nga vetë ai, kryetari i përjetshëm, dhe pastaj nga “kori i burrave dhe grave”. Realisht ka ndodhur “vrasja” e tyre politike, mendore, logjike, duke u mohuar atyre ekzistencën edhe si anëtarë të thjeshtë partie. Nuk i ka lënë gjë adhuruesit të tij shpirtëror, (Komandantit), edhe në të folur, edhe në xhestikulacione, edhe në fjalime dhe reagime ndaj çdo kundershtari politik. Prej 1992, kush ka guxuar, në kryesi, në Këshillin Kombetar, në kryeministri, në seli, në presidencë, në takime dhe kudo, që ta kundërshtojë, që ti hedhë poshtë ndonjë argument apo tezë të tij, është fyer, është injoruar, është baltosur, madje edhe është rrahur. Si ka mundësi, të ndodhë kjo për 35 vite brënda një partie, e cila u përket studentëve të Dhjetorit 1990 dhe jo një pakice, aq më tepër një ish-komunisti fanatik, që aq shumë e ka adhuruar, dhe sa shumë e adhuron edhe sot, Enver Hoxhën. I “vrau” politikisht të gjithë ata, që kanë kërkuar hapjen, organizimin, dhe rikonfirmimin e asaj partie. I “vrau” të gjithë politikisht ata që dikur, apo dhe sot kanë guxuar ti thonë “ndal, nuk është kjo rruga drejt fitores dhe ribashkimit të PD”. Eshtë e kotë të shpresojmë se, një ditë Sali Berisha do të “vetëlargohet” nga drejtimi i asaj partie. Eshtë e kotë të besojmë se, edhe pas humbjes së zgjedhjeve vendore në 2027 apo dhe 2030, Berisha të pranojë humbjen dhe të thotë “kaq ishte, po largohem”. Kjo gjë nuk do të ndodhë kurrë, edhe sikur PD-ja të mbetet vetëm me 5 anetarë. Atje brënda tyre, mungon liria e mendimit dhe e shprehjes, mungon demokracia e brendshme, mungon guximi dhe kurajo e ngritjes së zërit dhe problemeve, mungon qasja e të rinjve, pasi qysh tek dera e selisë, përballen me situata komike, po aq dhe dramatike. Ajo parti, tanimë quhet “partia e Leninit”, siç quhej edhe për 35 vite rresht PKBRSS, edhe pse në krye të saj ishte Stalini. Mbetet e kotë përpjekja e Salianjit, ashtu siç ishte bllof edhe përpjekja dikur e Neritan Cekës, Arben Imamit, Genc Rrulit, apo dhe Genc Pollos. Edhe ata tentuan, por u sikterrisën, u bënë “lecka”, dhe pastaj u detyruan ti afrohen Sali Berishës, për të marrë ndonjë “kockë pushteti”. Por sot kemi një tjeter realitet, që nuk i qaset fare, atij të viteve 1998, apo 2001. Po ti llogaritësh me lista emërore, kam bindjen se, ata që ka vrarë fizikisht Enveri përgjatë 45 viteve, (si kundershtarë politikë) nuk janë gjë fare përpara atyre që Berisha ka “vrarë politikisht” në 35 vite demokraci. Kaq mjafton të thuash se “PD mbetet parti muzeu”, dhe jo alternativë pushteti.
