Aktori britanik Idris Elba është nderuar sot me titullin “Kalorës” nga mbreti Charles III, gjatë një ceremonie në Kështjellën Windsor, në kuadër të Dekorimeve të Vitit të Ri për shërbimet ndaj të rinjve, raportoi BBC.
Aktori 53 vjeç, i njohur për rolet e tij në serialin “The Wire” dhe dramën policore “Luther”, u vlerësua për shërbimet e tij ndaj të rinjve dhe angazhimin e gjatë në projekte komunitare.
Elba ka theksuar vazhdimisht rëndësinë e fuqizimit të të rinjve dhe arsimit, veçanërisht përmes nismave sociale, që synojnë zhvillimin e komuniteteve.
Në vitin 2022, aktori britanik themeloi fondacionin “Elba Hope Foundation”, që mbështet fuqizimin e komuniteteve, arsimin, mbrojtjen për të rinjtë dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Gjithashtu, kur Elba ishte vetëm 18 vjeç, ai mori një ndihmë financiare nga “Prince’s Trust” (sot “King’s Trust”), e cila e ndihmoi të ndiqte kurse aktrimi në Teatrin Kombëtar Muzikor për të Rinj.
Së fundmi është bërë e ditur se Elba do të bashkëpunojë me mbretin Charles III, në një dokumentar që shënon 50-vjetorin e themelimit të organizatës bamirëse, i cili pritet të transmetohet në “Netflix”, këtë vjeshtë.
Në të njëjtën ceremoni, u nderuan edhe kampionët olimpikë Torvill dhe Dean me titujt “Kalorës” dhe “Damë” për shërbime ndaj patinazhit artistik dhe aktivitetit vullnetar, ndërsa aktorja dhe komediania Meera Syal u vlerësua për kontributin e saj në letërsi, teatër dhe bamirësi.
Komediani Paul Elliott, i njohur ne komedine “Chuckle Brothers”, mori gjithashtu titullin MBE (Anëtar i Urdhrit të Perandorisë Britanike) për shërbime bamirësie./mxh
