Last Updated on 26/03/2026 by Anisa
Ish-Presidenti Ilir Meta ka reaguar ndaj gazetarit Zhevahir Zhabina, pas një diskutimi në studion e MCN TV me gazetaren Aida Toncica, ku ishte i ftuar edhe avokati i tij, Kujtim Cakrani.
Meta shprehet se lidhur me çështjen e tij nuk e shqetëson fakti që Zhabina mund ta konsiderojë normale vazhdimin e paraburgimit të tij edhe pas 18 muajsh. Ai shton: “Por si gazetar që jeni dhe meqënëse ishit në studion e Znj. Toncica, a ju duket normale që as unë dhe as avokati im nuk kemi marrë ende zyrtarisht vendimin e dënimit tim nga Komisioni Disiplinor i IEPV ‘Jordan Misja’, pse fola nga telefoni i burgut, nëpërmjet telefonit të avokatit, me gazetaren Toncica?”
Ish-Presidenti ngriti shqetësime edhe për ngadalësinë e hetimeve: “A ju duket normale që pas 18 muajsh kallëzimi ynë për këtë çështje ende fle në prokurori dhe askush nuk mban përgjegjësi?” Ai thekson se nuk bëhet fjalë për pengim të drejtësisë, por për pengim të demokracisë dhe të pluralizmit politik.
Meta gjithashtu përmend të drejtën e komunikimit me media: “A ju duket normale që kryetari i një partie opozitare, ish-President i Republikës, ish-Kryetar i Kuvendit dhe ish-Kryeministër për 18 muaj të mos lejohet t’i përgjigjet asnjë kërkese për intervistë televizive të çdo gazetari, kur kjo gjë ka ndodhur shumë herë nga burgjet e Rusisë me Navalny dhe Khodorkovsky e shumë opozitarë të tjerë?”
Ai ngriti shqetësime edhe për shkeljet administrative: “A është normale që as numri i telefonit të Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë së Lirisë, Z. Tedi Blushi, që ishte i regjistruar në mënyrë të ligjshme dhe u ç’regjistrua nga administrata e IEPV ‘Jordan Misja’, ende nuk është i disponueshëm për komunikim me mua edhe pse kjo shkelje është evidentuar nga Avokati i Popullit?”
Ish-Presidenti përfundon reagimin e tij duke ftuar Zhabinën: “Jeni i mirëpritur nga unë në çdo seancë të gjykimit në themel dhe me këtë rast shumë përshëndetje edhe kolegës tuaj, znj. Aida Toncica, e cila më ka ‘dënuar’ pa dashje.”
