Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka vizituar një nga bizneset e grumbullimit dhe shitjes së mandarinave në Mursi, ku ka shprehur mbështetjen e saj të plotë për prodhuesit vendas dhe për sipërmarrjet që punojnë ndershmërisht.
Zhupa theksoi se vendi ynë është i bekuar me natyrë të mrekullueshme dhe njerëz punëtorë, por, sipas saj, vuan nga papërgjegjshmëria e institucioneve që nuk arrijnë të mbrojnë interesin e qytetarëve. Ajo ngriti shqetësimin se paaftësia e AKU-së për të kontrolluar tregun dhe për të gjurmuar abuzuesit krijon terren për lajme të rreme dhe godet drejtpërdrejt fermerët dhe bizneset që punojnë me integritet.
Gjatë vizitës, Zhupa vlerësoi modelin e suksesit të ndërtuar nga Fatmir Shero me prodhimet e fermerëve të Konispolit, prodhime të cilësisë së lartë, të arritura falë mundit dhe djersës së fermerëve, por sipas tyre, pa asnjë mbështetje nga shteti.
Ajo u bëri thirrje qytetarëve të mbështesin ekonominë vendase: “Blini produktet e tyre, blini mundin e fermerëve tanë. Vetëm kështu i japim vlerë punës së tyre dhe fuqizojmë prodhimin shqiptar.” M.P.
