Pallati i Buckinghamit ka konfirmuar se vizita shtetërore e Mbretit Charles dhe Mbretëreshës Camilla në SHBA do të vijojë sipas planit.
Dyshimet për anulimin e vizitës u ngritën pas të shtënave që ndodhën në Darkën e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, ku ishtë i pranishëm presidenti Donald Trump dhe shumë zyrtarë të tjerë të lartë.
“Pas diskutimeve në të dyja anët e Atlantikut gjatë ditës dhe duke vepruar sipas këshillës së Qeverisë, mund të konfirmojmë se Vizita Shtetërore e Madhërive të Tyre do të vazhdojë sipas planit. Mbreti dhe Mbretëresha janë shumë mirënjohës ndaj të gjithë atyre që kanë punuar me ritëm të shpejtë për të siguruar që kjo të vazhdojë dhe mezi presin që Vizita të fillojë nesër”, thuhet në deklaratën e pallatit përpara udhëtimit të çiftit mbretëror të hënën.
Sipas mediave ndërkombëtare, do të ketë disa rregullime të vogla operative në një ose dy angazhime, por plani i përgjithshëm për vizitën katër-ditore mbetet siç është planifikuar më parë.
Pallati i Buckinghamit më herët gjatë ditës së sotme njoftoi se po zhvilloheshin diskutime për sigurinë pas një incidenti me të shtëna në Darkën e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë të mbrëmjes së kaluar./mxh
