Irani deklaron se presioni për të pranuar në mënyrë të njëanshme kërkesat e Shteteve të Bashkuara nuk do të japë asnjë rezultat. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, u shpreh të hënën se Teherani nuk do të dorëzohet përballë trysnisë amerikane.
Deklarata vjen në prag të raundit të tretë të bisedimeve bërthamore mes Iranit dhe SHBA-së, që do të zhvillohet më 26 shkurt në Gjenevë. Lajmi u konfirmua nga ministri i Jashtëm i Omanit, Badr Albusaidi, vendi i të cilit ka ndërmjetësuar kontaktet mes dy palëve.
Tensionet janë rritur ndjeshëm javët e fundit, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë shtuar praninë ushtarake në Lindjen e Mesme. Presidenti amerikan, Donald Trump, paralajmëroi se “gjëra shumë të këqija do të ndodhin” nëse nuk arrihet një marrëveshje për programin bërthamor të Iranit.
Nga ana tjetër, Teherani ka sinjalizuar gatishmëri për lëshime të reja në programin e tij bërthamor, me kusht që marrëveshja të përfshijë heqjen e sanksioneve ekonomike dhe njohjen e të drejtës së Iranit për pasurim bërthamor për qëllime paqësore.
Uashingtoni ka kërkuar gjithashtu zgjerimin e bisedimeve përtej çështjes bërthamore, duke përfshirë programin raketor të Iranit dhe mbështetjen e tij për grupet e armatosura në rajon. Irani e ka refuzuar publikisht këtë kërkesë, megjithëse burime diplomatike sugjerojnë se mbështetja për grupet e armatosura mund të jetë më e negociueshme sesa programi i raketave.
Raundi i radhës në Gjenevë pritet të jetë vendimtar për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve mes dy rivalëve të kahershëm./mxh
