Aeroportet e Lublinit dhe Rzeszowit në Poloninë juglindore janë rihapur këtë të shtunë, pasi autoritetet njoftuan përfundimin e operacioneve ushtarake ajrore në hapësirën ajrore të vendit, të ndërmarra si masë sigurie pas sulmeve ruse ndaj Ukrainës.
Komanda operative e ushtrisë polake bëri të ditur se nuk ka pasur asnjë shkelje të hapësirës ajrore polake, ndërsa operacionet u zhvilluan vetëm në mënyrë parandaluese.
Në një njoftim në rrjetet sociale, ushtria polake falënderoi NATO-n dhe Forcën Ajrore Gjermane, avionët e së cilës kontribuuan në garantimin e sigurisë së qiellit polak gjatë operacioneve.
Autoritetet shtuan se operacionet ushtarake ajrore të lidhura me sulmet e Federatës Ruse ndaj Ukrainës kanë përfunduar, ndërsa sistemet tokësore të mbrojtjes ajrore dhe radarët janë rikthyer në aktivitet normal.
Ndërkohë, Ukraina njoftoi se Rusia ka kryer një sulm masiv ajror gjatë natës, duke goditur objektiva energjetike, përfshirë termocentrale në pjesën perëndimore të vendit.
Operacioni ushtarak i Polonisë kishte për qëllim mbrojtjen dhe sigurimin e hapësirës ajrore në zonat pranë rajoneve të rrezikuara nga konflikti, theksuan autoritetet.
Si masë paraprake, dy aeroportet në juglindje të Polonisë kishin pezulluar përkohësisht fluturimet, por tashmë aktiviteti ajror i është rikthyer normalitetit./mxh
