Last Updated on 17/10/2026 by EL
Mediat ndërkombëtare kanë pasqyruar zhvillimet e fundit në Shqipëri, ku protestat kundër qeverisë kanë hyrë në ditën e pestë, duke u shoqëruar me përplasje mes demonstruesve dhe policisë, arrestime dhe plagosje të efektivëve.
Në një artikull të publikuar në Euronews, thuhet se: “Përplasjet e dhunshme u raportuan në kryeqytetin Tiranë, ku protestuesit hodhën gurë drejt policisë, e cila u përgjigj me gaz lotsjellës, ndërsa demonstratat në mbarë vendin hynë në ditën e pestë radhazi”.
Sipas medias ndërkombëtare, të shtunën studentë dhe protestues të tjerë u mblodhën përpara Ministrisë së Arsimit në Tiranë. Protestat, të cilat janë përhapur edhe në qytete të tjera të vendit, u intensifikuan pasi nxënës të shkollave të mesme dhe studentë iu bashkuan lëvizjes më të gjerë që kërkon dorëheqjen e kryeministrit socialist Edi Rama, për shkak të akuzave për korrupsion.
Studentët kërkojnë gjithashtu përmirësimin e sistemit arsimor, më shumë mbështetje financiare dhe mundësi më të mira punësimi. Ndërkohë, lëvizja më e gjerë është nxitur pjesërisht edhe nga kundërshtitë ndaj një projekti të diskutueshëm të turizmit luksoz, të lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump.
Euronews raporton se, gjatë përplasjeve në Tiranë, policia përdori gaz lotsjellës, dy automjete ujëhedhëse dhe plumba gome në përpjekje për të shpërndarë protestuesit dhe për të rikthyer kontrollin e situatës. Protestuesit u shpërndanë për pak kohë, por më pas u rikthyen duke hedhur gurë drejt efektivëve të policisë.
Kryeministri Edi Rama, sipas artikullit, është shprehur se mbështet të drejtën e studentëve dhe qytetarëve për të protestuar, por ka paralajmëruar se personat e maskuar që shkatërrojnë biznese po kryejnë vepra penale. Ai ka deklaruar se përgjegjësit për dëmtimin e pronës do të mbajnë përgjegjësi.
Sipas të dhënave të policisë shqiptare, të cituara nga Euronews, 167 persona janë arrestuar dhe 132 efektivë policie janë plagosur gjatë pesë ditëve të trazirave. Gjithashtu, shtatë punonjës policie janë pezulluar nga detyra, në pritje të hetimeve për pretendimet për përdorim të tepruar të forcës, sipas deklarimeve të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita.
Euronews thekson se Rama, i cili është në pushtet që prej vitit 2013 dhe po ushtron mandatin e tij të katërt, ka përjashtuar mundësinë e dorëheqjes, ndërsa ka akuzuar kundërshtarët e tij konservatorë për nxitjen e përplasjeve.
“Unë nuk do të lejoj askënd të rrezikojë të ardhmen e këtij vendi, për përfitimet politike të atyre që përdorin dorën e tyre të ligë për të krijuar çrregullim dhe shkatërrim”, citohet të ketë deklaruar Rama në një videomesazh.
“Përgjegjësia ime është e qartë në këto orë të vështira: të mbroj qytetarët tanë, të garantoj drejtësinë dhe ta çoj Shqipërinë përpara”, ka shtuar kryeministri.
