Shefi i Nvidia, Jensen Huang, vizitoi të premten zonën turistike Shichahai në Pekin, ku tërhoqi vëmendjen e qytetarëve dhe turistëve gjatë një shëtitjeje në një nga lagjet më të njohura historike të kryeqytetit kinez.
Gjatë vizitës, Huang u ndal për të dëgjuar performancën e dy muzikantëve të rrugës, ndërsa më pas kaloi pranë një lokali ku stafi kishte ekspozuar me krenari një fotografi të tij nga vizita e vitit të kaluar.
Shefi i kompanisë amerikane të teknologjisë ishte pjesë e delegacionit të biznesit që shoqëroi presidentin amerikan Donald Trump në takimin me presidentin kinez Xi Jinping në Pekin. Në delegacion morën pjesë edhe figura të njohura të industrisë teknologjike, përfshirë Elon Musk dhe drejtuesin e Apple, Tim Cook.
Ndërkohë, përfaqësuesi amerikan për tregtinë, Jamieson Greer, deklaroi për Bloomberg TV se kontrollet amerikane mbi eksportin e çipave gjysmëpërçues nuk ishin një nga temat kryesore të diskutimeve me zyrtarët kinezë.
Takimet mes Trump dhe Xi Jinping u fokusuan kryesisht te bashkëpunimi ekonomik, megjithatë nuk pati sinjale konkrete për një marrëveshje lidhur me shitjen e çipave të avancuar H200 të Nvidia-s në tregun kinez, pavarësisht pranisë së Huang në vizitën zyrtare./mxh
