Për vite me radhë, Homo floresiensis, hominidi misterioz i njohur si “hobiti” i ishullit indonezian Flores, është përfytyruar si një gjuetar i aftë, që arrinte të rrëzonte prenë shumë më të madhe se vetja dhe të përdorte zjarrin, pavarësisht trupit të tij të vogël. Por një studim i ri, i publikuar në revistën Science Advances, rrëzon këtë teori dhe sugjeron një histori krejt tjetër. Sipas studiuesve, këta të afërm të lashtë të njeriut nuk gjuanin kafshë të mëdha. Ata ushqeheshin kryesisht me mbetjet e elefantëve xhuxh që linin pas dragonjtë e Komodos, grabitqarët më të frikshëm të ishullit.
Për të kuptuar se kush ishte grabitqari i vërtetë i elefantëve xhuxh të Floresit, ekipi i drejtuar nga paleoantropologia Elizabeth Grace Veatch, nga Muzeu Kombëtar i Historisë Natyrore Smithsonian në Uashington, zhvilloi një eksperiment të pazakontë në kopshtin zoologjik të Atlantës. Studiuesit i dhanë një dragoi të Komodos, të quajtur Rinca, një kufomë dhie për t’u ushqyer dhe më pas analizuan me kujdes shenjat që dhëmbët e tij lanë në kocka. Rikrijimi i një elefanti të plotë ishte i pamundur, pasi Stegodon, elefanti xhuxh që jetonte dikur në Flores, është zhdukur prej kohësh. Pas ushqyerjes së dragoit, nga 72 kocka të mbetura, 26 kishin gjithsej 192 gjurmë kafshimi. Këto u përdorën si bazë krahasimi me fosilet e gjetura në ishull. Më pas, studiuesit krahasuan këto shenja me më shumë se 3 mijë fragmente kockash të Stegodon florensis insularis, të zbuluara në shpellën Liang Bua, vendi ku në vitin 2003 u gjetën për herë të parë mbetjet e Homo floresiensis. Ata analizuan gjithashtu afro 7 mijë kocka minjsh gjigantë, shumë më të vonshme, të lidhura me praninë e Homo sapiens, i cili e banoi shpellën në periudha të mëvonshme. Rezultatet treguan se shenjat e kafshimit të dragoit të Komodos përputheshin pothuajse plotësisht me ato të gjetura në kockat e Stegodonit dhe jo me shenjat që do të kishin lënë veglat prej guri të përdorura nga njerëzit.
Sipas studiuesve, dragoi i Komodos i vriste elefantët xhuxh me kafshimin e tij helmues, njësoj siç bën sot me buallicat e ujit. Vetëm pasi grabitqari largohej, hobitët afroheshin për të marrë sa më shumë mish nga kufomat e mbetura. Eksperimenti tregoi gjithashtu se dragoi i Komodos preferonte pjesët më të pasura me mish, si këmbët e përparme dhe të pasme të dhisë. Në të kundërt, shenjat e prerjes të lëna nga veglat prej guri të Homo floresiensis gjendeshin kryesisht në pjesët më pak të vlefshme të Stegodonit, si kockat e kafkës dhe vertebrat e kraharorit. Ky është një rezultat paradoksal, pasi njerëzit do të duhej të kishin përparësi në zgjedhjen e pjesëve më të mira të prenë, përveç rastit kur ata mbërrinin gjithmonë pasi grabitqari kishte përfunduar ushqimin. Studimi rrëzon edhe një tjetër teori të përhapur, atë se Homo floresiensis dinte të kontrollonte zjarrin. Nga më shumë se 3 mijë kocka Stegodoni të lidhura me këtë hominid, vetëm njëra kishte shenja djegieje dhe studiuesit besojnë se ajo është ndotur nga shtresa më të vona të shpellës, të krijuara nga prania e Homo sapiens.
Ndryshe ndodh me kockat e minjve të lëna nga njeriu modern në të njëjtin vend. Rreth një e pesta e tyre kishte shenja të qarta gatimi. “Shenjat në kockat e minjve tregojnë qartë modelin që kemi vëzhguar. Nuk ka asnjë gjurmë zjarri në shtresat që i përkasin Homo floresiensis, ndërsa në ato të njeriut modern ka qindra kocka të djegura”, shpjegon Elizabeth Grace Veatch. Sipas saj, teoritë që u atribuonin hobitëve sjellje të avancuara ishin vënë tashmë në dyshim vitet e fundit, por ky studim ofron prova të drejtpërdrejta se ata nuk përdornin zjarrin dhe nuk gjuanin kafshë të mëdha, ndryshe nga sa ishte menduar fillimisht. Për Adam Brumm, nga Universiteti Griffith në Brisbane, studimi tregon në mënyrë bindëse se Homo floresiensis nuk i gjuante elefantët xhuxh, por përfitonte nga kufomat e vrara nga grabitqarë të tjerë. Edhe Martin Porr, nga Universiteti i Australisë Perëndimore, thekson se hipotezat e mëparshme për gjuetinë dhe përdorimin e zjarrit kishin qenë prej kohësh të debatueshme.
Sipas tij, këto zbulime e afrojnë Homo floresiensis me hominidët e tjerë të vegjël, si australopitekët, një përfundim që përputhet me madhësinë e vogël të trurit dhe trupit të tyre. Megjithatë, një pyetje thelbësore mbetet ende pa përgjigje. Shkencëtarët nuk e dinë nëse Homo floresiensis rrjedh nga paraardhës të vegjël që ishin përhapur shumë më gjerë sesa mendohej, apo nëse ka evoluar nga një specie më e madhe, si Homo erectus, e cila me kalimin e kohës u zvogëlua, duke humbur jo vetëm përmasat trupore, por edhe disa aftësi më komplekse të sjelljes. “Të dyja hipotezat mbeten të mundshme për momentin”, përfundon Martin Porr. “Nevojiten kërkime të tjera në Flores dhe në ishujt përreth për të kuptuar më mirë origjinën e këtij hominidi misterioz.”
