Edhe fluturat e natës mund të kenë një “anë të preferuar”, ashtu si njerëzit. Një studim i publikuar në revistën shkencore PNAS ka zbuluar se disa specie përdorin në mënyrë të vazhdueshme anën e djathtë ose të majtë të trupit gjatë ushqimit, një strategji që i ndihmon të koordinojnë më mirë shikimin dhe lëvizjet.
Rreth një në dhjetë njerëz në botë është mëngjarash, pra preferon të përdorë dorën e majtë për të shkruar, ngrënë ose kapur objekte. Ky fenomen quhet lateralizim dhe nuk është një veçori vetëm e njeriut. Shumë kafshë, nga oktapodët te shpendët, shfaqin një preferencë të ngjashme për njërën anë të trupit, madje edhe ato që kanë vetëm një strukturë të vetme, si feçka e elefantit.
Tani, studiuesit e Universitetit të Konstancës kanë treguar se kjo ndodh edhe te Macroglossum stellatarum, e njohur si sfinksi kolibri, një flutur nate e përhapur edhe në Itali dhe e quajtur kështu për ngjashmërinë me kolibrin.
Ashtu si kolibrat, këto flutura ushqehen me nektarin e luleve duke përdorur një trompë të gjatë, të njohur në terminologjinë shkencore si spiritrombë. Edhe pse kanë vetëm një trompë, studiuesit zbuluan se ato kanë një preferencë të qartë për ta orientuar atë në anën e djathtë ose të majtë të trupit. Për të studiuar këtë sjellje, shkencëtarët përdorën lule artificiale të mbuluara me polen dhe filmuan fluturat gjatë ushqimit. Me ndihmën e kamerave me rezolucion të lartë dhe algoritmeve të analizës së imazhit, ata arritën të vëzhgonin me detaje lëvizjet e trompës. Rezultatet treguan se disa flutura e mbanin gjithmonë trompën të orientuar në të majtë gjatë inspektimit të luleve, ndërsa të tjera gjithmonë në të djathtë. Kjo preferencë mbeti e pandryshuar gjatë gjithë eksperimenteve, duke treguar se ekzistojnë vërtet flutura nate “mëngjarashe” dhe “djathtake”. Më tej, studiuesit zbuluan se këto flutura kanë edhe një sy dominues, i cili përkon me anën ku përdoret trompa. Kur ky sy pengohej qëllimisht, fluturat lëviznin të gjithë trupin për ta rikthyer trompën brenda fushës së shikimit.
Sipas autorëve të studimit, lateralizimi është një përshtatje evolutive që i ndihmon këto insekte të shfrytëzojnë sa më mirë aftësitë e kufizuara të trurit të tyre. Duke u specializuar në një anë të vetme, ato arrijnë të koordinojnë më mirë syrin me trompën dhe të ushqehen në mënyrë më efikase./et
Artikulli i Mëparshëm7 fakte interesante për Ceutën, enklavën evropiane të vendosur në Afrikë
