Justin Bieber mund të jetë pranë një tjetër projekti madhor, vetëm tre muaj pas performancës së tij në Coachella, e cila e bëri artistin më të ndjekur në historinë e festivalit.
Sipas burimeve të TMZ, fituesi i çmimit Grammy është në bisedime për të performuar në finalen e Kupës së Botës FIFA 2026. Organizatorët thuhet se po e konsiderojnë Bieber për spektaklin e parë historik Halftime Show të një finaleje të Botërorit, së bashku me Madonna, Shakira dhe grupin korean BTS, emra që ishin konfirmuar që në muajin maj.
Nëse pranon ofertën për të qenë një nga artistët kryesorë të mbrëmjes, Bieber do të udhëtojë nga Los Angeles drejt East Rutherford, në New Jersey, ku finalja do të zhvillohet të dielën, më 19 korrik, në stadiumin MetLife.
Spektakli do të ketë edhe një dimension bamirësie, pasi do të mbështesë FIFA Global Citizen Education Fund, një fond që synon të zgjerojë aksesin në arsim cilësor dhe futboll për fëmijët në mbarë botën. Sipas faqes zyrtare, objektivi është mbledhja e 100 milionë dollarëve deri në ditën e finales.
Kupa e Botës 2026 ka sjellë tashmë në skenë një sërë artistësh të njohur ndërkombëtarisht, mes tyre Katy Perry dhe Tyla. Turneu nisi më 11 qershor me ceremoni madhështore hapëse në Meksikë, Kanada dhe Shtetet e Bashkuara, të cilat organizojnë së bashku Botërorin për herë të parë pas 32 vitesh.
“Mes suksesit në Coachella dhe pritjes së shkëlqyer të albumit Swag, është e qartë se kjo shënon fillimin e një epoke të re për Justin, një periudhë në të cilën ai ka kontroll të plotë mbi karrierën e tij”, shtoi i njëjti burim.
Sipas raportimeve, pagesa e Bieber-it kaloi 5 milionë dollarë për secilën fundjavë të festivalit. Falë negociatave të drejtpërdrejta, ai nuk ndau asnjë përqindje me agjentë apo ndërmjetës, duke rritur ndjeshëm fitimet e tij.
Justin Bieber është një këngëtar kanadez dhe një nga artistët më të suksesshëm të muzikës pop në botë, i cili u bë i famshëm në moshë të re falë platformës YouTube. Gjatë karrierës së tij ka publikuar hite si Baby, Sorry”, Love Yourself dhe Peaches, duke fituar dy çmime Grammy dhe dhjetëra vlerësime ndërkombëtare. Vitet e fundit ai është rikthyer në qendër të vëmendjes me albumin Swag dhe performancat e tij në skenat më të mëdha muzikore./mxh
