Juventus fitoi bindshëm 5-0 ndaj Cremonese në ndeshjen e javës së 20-të në Serie A.
Bardhezinjtë zhbllokuan rezultatin në minutën e 12-të me Mirettin, pas një devijimi që mposhti portierin. Vetëm tre minuta më vonë, Jonathan David dyfishoi shifrat pas një aksioni të shpejtë. Një penallti e dhënë fillimisht për Cremonese u anulua, ndërsa në krahun tjetër Juventus përfitoi nga pika e bardhë, me Yildiz që realizoi pas rikthimit të topit nga shtylla.
Në pjesën e dytë, epërsia u thellua me një autogol pas aksionit të McKennie-t. I njëjti futbollist shënoi edhe golin e pestë me kokë në minutën e 64-t.
Juventus regjistroi fitoren e gjashtë në shtatë ndeshjet e fundit. Me këtë sukses, bardhezinjtë ngjiten në vendin e katërt në renditje./K.M
