Vlerat e pasura të traditës dhe trashëgimisë kulturore në këtë stinë pranvere në Gjirokastër po tërheqin një numër në rritje të turistëve. Krahas monumenteve të kulturës, qyteti i gurtë prezanton për vizitorët edhe ritet karakteristike të trashëguara në breza. Përgatitja e kafes tradicionale në gur është një prej ndalesave të preferuara për turistët e huaj që vizitojnë zonën muzeale. Ata njihen me elementët e këtij riti të veçantë ndërsa shijojnë kafen e përgatitur në mënyrë karakteristike.
“Turistët preferojnë të shikojnë gjëra tradicionale, të shohin trashëgiminë kulturore të Shqipërisë, mënyrën sesi kafja përgatitet në zakonet e vjetra shqiptare me çibukun dhe me zjarrin. Sidomos turistët gjermanë që vijnë e respektojnë shumë trashëgiminë kulturore me vlerë të Shqipërisë, jo vetëm kafen por edhe veshjet tradicionale, isopolifoninë pra trashëgiminë kulturore në përgjithësi”, thotë Bearet Bajraktari nga guida turistike.
“Vij nga Gjermania është udhëtimi im i parë këtu në Shqipëri, është një vend shumë i këndshëm, me njerëz mikpritës, peizazhe të bukura, veçanërisht traditat dhe gatimet karakteristike janë mjaft të veçanta, kur të kthehem do t’ju sugjeroj miqve të mi që ta vizitojnë Shqipërinë”, thotë një turist.
“Ndoqëm ritin për përgatitjen e kafesë në mënyrë tradicionale, ishte me të vërtetë shumë interesante, mendoj se traditat tuaja janë shumë të veçanta, do të ishte mirë që turistët e huaj ta vizitojnë Shqipërinë”, thotë një turiste.
Përgjatë këtij viti Gjirokastra ka mirëpritur rreth 30 mijë turistë vendas dhe të huaj. Tashmë ky sektor është ndër më fitimprurësit për ekonominë lokale dhe krijon mundësi për çeljen e vendeve të reja të punës./et
