Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, po përballet me mundësinë që në zgjedhjet e planifikuara më vonë këtë vit të garojë kundër një super-koalicioni të djathtë-qendror, pasi dy nga rivalët e tij më të fortë politikë kanë bashkuar forcat në një përpjekje për ta rrëzuar nga pushteti, duke ftuar edhe një lider të tretë partie që t’u bashkohet.
Në një lëvizje që disa analistë e krahasojnë me koalicionin e qendrës së djathtë që rrëzoi Viktor Orbán-in nga pushteti në Hungari, ish-kryeministrat (i djathti Naftali Bennett dhe ai i qendrës Yair Lapid) njoftuan bashkimin e partive të tyre (Bennett 2026 dhe Yesh Atid “Ka një të ardhme”).
Ky zhvillim vjen në një kohë kur Netanyahu bëri të ditur se kohët e fundit kishte hequr një tumor malinj nga prostata, duke ngritur pikëpyetje mbi kohën e publikimit të këtij informacioni, i cili ishte i paqartë në detaje, si dhe mbi gjendjen e tij të përgjithshme shëndetësore. Çështje këto që tashmë pritet të bëhen pjesë e debatit elektoral.
“Jemi këtu së bashku për hir të fëmijëve tanë. Shteti i Izraelit duhet të ndryshojë drejtim”, deklaroi Lapid gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Bennett të dielën, citon The Guardian.
Bennett tha se partia e re do të quhet “Together” (Së bashku) dhe se ai do të jetë drejtuesi i saj. “Pas 30 vitesh, është koha të ndahemi nga Netanyahu dhe të hapim një kapitull të ri për Izraelin”, u shpreh ai.
Bennett ftoi gjithashtu Gadi Eisenkot, ish-shef i shtabit të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit dhe lider i partisë Yashar, që t’u bashkohet. Sondazhet sugjerojnë se bashkimi i tre partive do të krijonte grupimin më të madh në Knesset. Të hënën, Eisenkot i kërkoi Bennett-it të koordinojë çdo hap të ardhshëm me të.
Megjithëse Eisenkot nuk ka njoftuar zyrtarisht nëse do t’i bashkohet koalicionit, ai e mirëpriti shpejt këtë bashkim.
“Qëllimi për të fituar zgjedhjet vendimtare që kemi përpara është i përbashkët”, shkroi ai, duke i quajtur “partnerë” dy ish-kryeministrat Bennett dhe Lapid dhe u zotua të veprojë “me përgjegjësi dhe mençuri” për të arritur “fitoren dhe ndryshimin e nevojshëm për shtetin e Izraelit”./mxh
