Bashkimi Europian ka reaguar ashpër ndaj kërcënimeve me tarifa nga presidenti amerikan Donald Trump, të lidhura me Groenlandën. Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, deklaroi se Europa nuk do të tërhiqet dhe se presioni ekonomik nuk do ta detyrojë Danimarkën të heqë dorë nga territori i saj.
Duke folur në Parlamentin Europian, Kallas tha se kërcënimet me tarifa nuk sjellin zgjidhje, por rrezikojnë të dëmtojnë mirëqenien e përbashkët të Europës dhe Shteteve të Bashkuara.
“Kërcënimet me tarifa nuk do ta detyrojnë Danimarkën t’ia dorëzojë Groenlandën askujt. Ato vetëm rrezikojnë ta bëjnë Europën dhe SHBA-në më të varfra. Ne nuk duam përplasje, por do të mbrojmë interesat tona.”
Kallas theksoi se Bashkimi Europian ka në dispozicion instrumente të ndryshme për të mbrojtur interesat e veta dhe se do t’i përdorë ato nëse është e nevojshme.
Ajo u ndal edhe te siguria e Groenlandës, duke theksuar se NATO është struktura e duhur për t’u marrë me çdo shqetësim në këtë drejtim. Sipas saj, gjatë javës së fundit disa vende europiane kanë dërguar personel ushtarak në Groenlandë për një mision vlerësimi të situatës.
“Kjo prani synon ta mbajë rajonin të sigurt, të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm. Nuk përbën kërcënim për askënd.”
Në deklaratën e saj më të fortë, Kallas nënvizoi se parimi i sovranitetit territorial është i panegociueshëm dhe duhet të respektohet kudo në botë.
“Asnjë vend nuk ka të drejtë të marrë territorin e një vendi tjetër, as në Ukrainë, as në Groenlandë, as kudo tjetër në botë.”
Reagimi i Bashkimit Europian vjen pasi presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi vendosjen e tarifave të reja ndaj disa vendeve europiane, përfshirë Francën, nga 1 shkurti, nëse SHBA nuk lejohet të marrë kontrollin e Groenlandës, një qëndrim që vendet kryesore të BE-së e kanë cilësuar si shantazh./mxh
