Në prag të samtit të BE-së, që zhvillohet javën e ardhëshme, kancelari i Gjermanisë Friedrich Merz bëri thirrje, që Europa ta përmbushë më me energji rolin e saj si “fuqi e paqes”.
“Europa duhet t’i shfrytëzojë më me vendosmëri dhe më me unanimitet mundësitë e saj dhe ta verë në veprim fuqinë e saj për të formësuar një botë më të mirë”,-kërkoi Merz në deklaratën qeveritare në Bundestag lidhur me takimin e nivelit të lartë. Marrëveshja e paqes për Gazën tregoi, se veprimi politik bën dallimin. Njëkohësisht Europa edhe ushtarakisht duhet të bëhet më e fortë, theksoi kancelari
Kryetarët e shteteve dhe të qeverive të shteteve të BE-së javën e ardhëshme të enjten dhe të premten (23.10 – 24.10. 2025) do të takohen në Bruksel në samitin e tyre të vjeshtës. Eshtë e zakonshme që në prag të takimeve të tilla jepen deklarata qeveritare. Një projekt qendror i kancelarit në këtë takim do të jetë kërkesa, që të përdoren pasuritë ruse të ngrira në valën e sanksioneve. Edhe në samitin e Kopenhagës në fillim të tetorit Merz e vuri në dukje këtë çështje dhe pret tani që në Bruksel të ketë vendime konkrete. /K.M
