Kryeministri britanik, Keir Starmer, u përpoq të shuajë revoltën në rritje brenda Partisë Laburiste, pas rezultateve të dobëta në zgjedhjet lokale të javës së kaluar, duke premtuar ndryshim dhe vazhdim të qeverisjes për të shmangur një krizë të re politike në Britani.
Në një fjalim në Londër, Starmer pranoi humbjet e partisë së tij dhe mori përgjegjësinë për rezultatin.
Ai deklaroi se Britania po përballet me kundërshtarë të rrezikshëm dhe paralajmëroi se dështimi për të realizuar ndryshimet e premtuara mund ta çojë vendin në një rrugë të errët politike.
Gjatë fjalës së tij, Starmer njoftoi se qeveria britanike do të paraqesë ligj për të marrë në pronësi të plotë kompaninë e çelikut British Steel, pasi negociatat për shitjen komerciale nuk kanë dhënë rezultat. Sipas tij, prodhimi i çelikut është një kapacitet strategjik për sigurinë dhe ekonominë e Britanisë.
Kryeministri britanik premtoi gjithashtu afrimin e marrëdhënieve me Bashkimin Evropian, duke theksuar se qeveria laburiste do të fokusohet në rindërtimin e lidhjeve me Evropën në ekonomi, tregti, mbrojtje dhe siguri. Ai propozoi edhe një skemë të re për të rinjtë, që do t’u mundësonte të punojnë, studiojnë dhe jetojnë në vendet evropiane.
Starmer foli edhe për investime më të mëdha në arsim profesional, praktika pune dhe mbështetje për të rinjtë që kanë vështirësi për të gjetur punë. Ai premtoi se çdo i ri do të ketë një ofertë për punësim, trajnim ose praktikë profesionale.
Pavarësisht kritikave dhe zërave për një sfidë ndaj lidershipit të tij, Starmer deklaroi se nuk ka ndërmend të largohet dhe se Britania mbetet një vend i qeverisshëm./mxh
