Last Updated on 29/07/2026 by Anisa
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi ka akuzuar Prokurorinë e Posaçme për hetime të dobëta dhe gjysmake ndaj biznesmenit të shpallur në kërkim ndërkombëtar, Ermal Beqiri. Ndalimi i tij në Francë me avion privat, ka nxitur reagime të shumta në Shqipëri.
Ai ka publikuar një fotografi të një avioni privat të kompanisë “Fly Solution” dhe thotë se ajo është në pronësi të Ermal Beqirit dhe është regjistruar në Slloveni.
“Ermal Beqiri u arrestua teksa pilotonte avionin e tij personal, që është pikërisht ky avion që shihni në këtë foto dhe që mbart logon Soft Solution. Foto që shihni në ekran, është foto e ëebsite të kësaj kompanie”, është shprehur Belind Këlliçi.
Nënkryetari i Partisë Demokratike thotë se nëse SPAK do kishte kryer detyrën dhe do të kishte bashkëpunuar me autoritetet Sllovene, kjo kompani dhe avionët e saj, do të ishin vënë nën sekuestro dhe nuk do të përdoreshin dot nga person i shpallur në kërkim ndërkombëtar Ermal Beqiri.
“Ky është website flysolution.si dhe në faqen e webit mund të shihni qartësisht dy avionët e Ermal Beqirit. I pari avioni DA40NG – The plane that takes you everywhere, pra avioni që të shpie kudo. Dhe avioni i dytë DA62 – Stability and luxury for your destinations, stabiliteti dhe luksi për destinacionet tuaja. Në fund lexojmë dhe Fly Solution – The sky is yours, qielli është i yti”, shkruan ai.
Akuza e Belind Këlliçit shkon edhe më tej. Ai thotë se është pikërisht SPAK, autoriteti që ka lejuar Ermal Beqirin të lëvizë lirshëm dhe të përdorë asetet e blera me paratë e vjedhura nga populli më i varfër në Europë.
