Deputeti i opozitës Belind Këlliçi ka reaguar pas intervistës së kryeministrit Edi Rama për gazetën estoneze “Postimees”, ku kreu i qeverisë foli për çështjen që lidhet me ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku dhe vendimet e Kuvendit për kërkesat e SPAK.
Në intervistë, Rama është shprehur se ndaj Ballukut “nuk ka akuzë për korrupsion” dhe se hetimet duhet të vijojnë normalisht, duke theksuar gjithashtu se në Shqipëri “asnjë zyrtar nuk ka imunitet nga drejtësia”, përfshirë edhe vetë kryeministrin.
Pas këtyre deklaratave, Këlliçi ka reaguar ashpër, duke e akuzuar Ramën se po tenton të justifikojë mbrojtjen politike të zyrtarëve të tij. Në reagimin e tij, ai është shprehur se: “Edi Rama mendon se imuniteti special i Ballukut është çështje private e tij dhe jo një problem i Shqipërisë që po i kushton vendit vonesa në integrim.”
Ai ka vijuar më tej duke thënë: “Edhe më e rëndë është përgjigja që Edi Rama ka dhënë. Ai konfirmon se ka bërë gjënë e duhur dhe do ta përsërisë këtë mbrojtje.”
Sipas Këlliçit, kjo qasje tregon se kryeministri “do të mbrojë karrigen e tij dhe interesin personal përpara interesit të vendit”, duke e lidhur çështjen me procesin e integrimit europian dhe funksionimin e shtetit të së drejtës./A.D
