Largimi i Lionel Messit nga kombëtarja argjentinase ka hapur diskutimin për të ardhmen e fanellës me numrin 10.
Shoqata Argjentinase e Futbollit, dëshiron që ky numër të mos përdoret më pas përfundimit të karrierës ndërkombëtare të Messit. Presidenti i AFA-së, Claudio Tapia, e kishte shprehur këtë ide që në vitin 2024, duke deklaruar se “10-ta” do të tërhiqej kur Messi të mbyllte aventurën me kombëtaren.
Megjithatë, rregulloret e FIFA-s nuk lejojnë tërheqjen përfundimtare të numrave në kompeticionet e saj. Në një Kupë Bote me 26 futbollistë, numrat duhet të jenë nga 1 deri në 26, ndaj edhe numri 10 do të duhet t’i caktohet një lojtari. Ndër emrat që mund ta marrin këtë fanellë përmenden Nico Paz, Alexis Mac Allister, Enzo Fernández dhe Thiago Almada.
Asnjëri prej tyre nuk konsiderohet aktualisht pasardhësi i padiskutueshëm i Messit për këtë numër. Kështu, Argjentina duhet të vendosë mes dëshirës për ta ruajtur “10”-ën si simbol të Messit dhe detyrimit për të respektuar rregullat e FIFA-s./mxh
