Last Updated on 15/05/2026 by Kesjana
Monada Mehmetaj, Strasbourg
Në një moment kur Evropa po përballet me sfida gjithnjë e më të mëdha në fushën e migracionit dhe sigurisë, ministrat e jashtëm të 46 shteteve anëtare të Këshilli i Evropës miratuan një deklaratë të rëndësishme politike mbi zbatimin e Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, me fokus të veçantë tek migracioni.
Deklarata u miratua me konsensus gjatë sesionit vjetor të Komitetit të Ministrave në Kishinau dhe konsiderohet si një përpjekje për të harmonizuar qasjet kombëtare me jurisprudencën e Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg.
Sekretari i Përgjithshëm i Këshilli i Evropës, Alain Berset, deklaroi se dokumenti përfaqëson një sinjal të fortë mbështetjeje për sistemin evropian të të drejtave të njeriut.
“Shtetet anëtare kanë arritur të bashkohen rreth një vizioni të përbashkët për mënyrën se si sistemi i Konventës mund të funksionojë më mirë, sidomos në kontekstin sfidues të migracionit”, u shpreh ai.
Balancë mes të drejtave dhe interesit publik
Një nga elementët kryesorë të deklaratës është riafirmimi i nevojës për të ruajtur ekuilibrin ndërmjet mbrojtjes së të drejtave individuale dhe interesit kolektiv të shteteve.
Dokumenti thekson se përgjegjësia kryesore për zbatimin e të drejtave të garantuara nga Konventa u takon autoriteteve kombëtare, ndërsa Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut duhet të ndërhyjë vetëm si mekanizëm i fundit, kur mbrojtja e të drejtave dështon në nivel kombëtar.
Në deklaratë nënvizohet gjithashtu rëndësia e ruajtjes së pavarësisë së Gjykatës së Strasburgut dhe roli i saj në mbrojtjen e demokracisë, sundimit të ligjit dhe paqes në Evropë.
Migracioni në qendër të debatit
Një pjesë e madhe e dokumentit i kushtohet sfidave që lidhen me migracionin. Shtetet anëtare pranojnë se disa vende evropiane po përballen me presione të konsiderueshme migratore dhe se mosmenaxhimi i duhur i situatës mund të ndikojë negativisht në besimin e qytetarëve ndaj institucioneve dhe vetë sistemit të Konventës.
Deklarata thekson qartë se shtetet kanë të drejtën sovrane për të kontrolluar hyrjen, qëndrimin dhe kthimin e shtetasve të huaj, si dhe detyrimin për të mbrojtur kufijtë e tyre në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
Në tekst trajtohen edhe sfida të tjera moderne, si:
* instrumentalizimi i migracionit nga aktorë armiqësorë,
* mbërritjet masive të migrantëve,
* procedurat e vendimmarrjes në situata emergjente,
* si dhe modelet e reja të menaxhimit të migracionit, përfshirë të ashtuquajturat “qendra kthimi”.
Rëndësia e Neneve 3 dhe 8 të Konventës
Deklarata ndalet në mënyrë të veçantë tek interpretimi i Nenit 3 të Konventës, që ndalon torturën dhe trajtimin çnjerëzor ose degradues, si dhe Nenit 8, që garanton të drejtën për jetën private dhe familjare.
Këto dispozita kanë qenë shpesh në qendër të debateve ligjore mbi dëbimet, azilin dhe kthimin e migrantëve në vendet e origjinës.
Shtetet anëtare kërkojnë që interpretimi i Konventës të marrë parasysh edhe realitetet aktuale me të cilat përballen qeveritë evropiane në menaxhimin e migracionit.
Dialog dhe besim publik
Në pjesën përmbyllëse, deklarata nënvizon nevojën për një dialog të hapur dhe konstruktiv ndërmjet institucioneve evropiane, qeverive kombëtare dhe gjykatave, me qëllim forcimin e besimit të publikut tek sistemi i Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Negociatat për këtë deklaratë nisën në dhjetor të vitit të kaluar gjatë një konference joformale të ministrave në Strasburg, me iniciativën e Alain Berset./kb
