Last Updated on 14/11/2026 by EL
Elisa Spiropali dhe Plarent Ndreca nuk do të jenë më pjesë e forumeve drejtuese të Partisë Socialiste, por do të vijojnë të mbeten anëtarë të partisë. Këtë e ka bërë të ditur sekretari i përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, përmes një sqarimi të ri për mediat.
Edhe pse në përfundim të mbledhjes së Asamblesë Kombëtare nuk u zhvillua votim për përjashtimin e tyre, Klosi ka konfirmuar se të dy nuk mund të jenë më pjesë e asnjë forumi të PS-së.
“Keqkuptimi padyshim i qellimshem i prononcimit tim pas Asamblese ka prodhuar nje lajm te rreme. Po, Elisa Spiropali dhe Plarent Ndreca nuk mund te jene me pjese e asnje forumi re partise. Por ne nje parti si PS, ku cilido aplikon online dhe behet anetar, nuk ka sens perjashtimi edhe nga partia. Fakti qe nuk u votua ne asamble eshte shume i thjeshte. Tre shoke qe ishin kunder parimisht per perjashtimin u shprehen lirisht dhe ne mbyllje gjithcka ishte e qarte. Ky eshte fakti ndersa te tjerat jane konsum mediash qe mund ta mbulojne diellin me shoshe vetem tani qe u be nate. Neser eshte nje dite e re dhe Partia Socialiste do te vazhdoje rrugen me frymen pozitive te kesaj asambleje”, shkruan Klosi.
Fillimisht, sekretari i përgjithshëm deklaroi se Elisa Spiropali vijonte të ishte anëtare e Partisë Socialiste, duke krijuar paqartësi lidhur me kërkesën e kryeministrit Edi Rama për largimin e saj dhe të Plarent Ndrecës.
Në reagimin e dytë, Klosi sqaroi se vendimi lidhet me largimin nga forumet e partisë dhe jo me përjashtimin nga anëtarësia.
