Last Updated on 11/12/2025 by Kesjana
Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvillon këtë të enjte, 11 dhjetor 2025, një nga mbledhjet më të rëndësishme të vitit, atë për zgjedhjen e drejtuesit të ri të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Procesi nis në orën 09:00, me intervistimin e katër kandidatëve që garojnë për postin më të lartë të strukturës speciale.
Sipas rendit alfabetik, para anëtarëve të KLP-së do të paraqiten Adnan Xholi, Doloreza Musabelliu, Elvin Gokaj dhe Klodian Braho. Secili prej tyre do të ketë mundësinë të prezantojë vizionin dhe platformën e drejtimit të SPAK-ut, ndërsa më pas do t’u përgjigjen pyetjeve të anëtarëve të Këshillit, siç parashikohet nga procedurat zyrtare.
Pasuesi i Altin Dumanit shpallet sot, detyra merret më 19 dhjetor
Kreu i ri i SPAK-ut do të ketë kompetencën të emërojë drejtuesit e dy seksioneve kryesore: atë të Korrupsionit dhe atë të Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit. Aktualisht, shef i seksionit të Korrupsionit është Klodian Braho, ndërsa shef i seksionit të Krimit të Organizuar dhe zv/drejtues i SPAK-ut, Adnan Xholi. Po ashtu, drejtuesi i ri do të zgjedhë koordinuesin e marrëdhënieve me jashtë, post i mbajtur aktualisht nga prokurorja Dorina Bejko.
Pritshmëritë e ndërkombëtarëve
Zhvillimi i sotëm ka marrë vëmendje të veçantë edhe nga partnerët ndërkombëtarë. Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, gjatë një takimi me anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, theksoi rëndësinë e procesit dhe nevojën për integritet maksimal.
Ai u shpreh besimplotë se KLP-ja do të tregojë përgjegjshmëri të lartë dhe do të sigurojë që SPAK të drejtohet nga një person i pavarur, profesionist dhe i përkushtuar ndaj standardeve që kërkon BE-ja.
Edhe Ambasada e Britanisë së Madhe reagoi përmes një deklarate zyrtare në rrjetet sociale, duke e cilësuar zgjedhjen e kreut të SPAK “një hap të rëndësishëm për forcimin e shtetit të së drejtës dhe luftës kundër korrupsionit”. Ambasada britanike theksoi se procesi duhet të jetë “i lirë, i drejtë dhe transparent”, ndërsa shtoi se pret të bashkëpunojë me cilindo prej pretendentëve që do të marrë postin.
Reagime ka patur edhe në skenën politike. Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili më 1 dhjetor u paraqit në SPAK në zbatim të masës “detyrim paraqitje” për çështjen “Partizani”, komentoi procesin e zgjedhjes së kreut të ri. I pyetur nga gazetarët nëse do ta njohë drejtuesin që do të zgjidhet këtë muaj, Berisha tha se shpreson që ai “të mos jetë i kapur nga krimi”, duke shtuar se ai respekton çdo institucion që zbaton ligjin.
Zgjedhja e kreut të ri të SPAK-ut shihet si një prej proceseve më kyçe për vijimësinë e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend, ndërsa pritshmëritë e publikut dhe partnerëve ndërkombëtarë mbeten të larta. Të gjitha sytë janë sot te KLP-ja, e cila do të përcaktojë drejtimin e strukturës më të rëndësishme antikorrupsion për vitet e ardhshme./kb
