Last Updated on 06/12/2024 by adminfjala
Komisioni i Venecias do të shqyrtojë sot mandatin e deputetes socialiste Olta Xhaçka.
Në seancën e sotme plenare të Komisionit Evropian për Demokraci Nëpërmjet Ligjit i njohur si Komisioni i Venecias do të shqyrtohet kërkesa e Kryetares së Kuvendit Elisa Spiropali nëse Gjykata Kushtetuese mund të imponojë një deputet se si duhet të votojë. Shumica e shikon një ngërç të krijuar në marrëdhëniet me Gjykatën Kushtetuese, për rastet e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit.
Kërkesa u përcoll në shtator të këtij nga Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali drejtuar Presidentes së Komisionit të Venecias, Claire Bazy Malaurie pas votimit të socialistëve në seancën e 13 shtatorit 2024 ku me votë deputetët socialistë penguan për herë të tretë kalimin në Gjykatën Kushtetuese të çështjes së mandatit të deputetes socialiste, ish Ministres së Jashtme Olta Xhaçka. Në ndryshim nga dy rastet e mëparshme, socialistët në atë seancë abstenonin në shumicë (65 vota) dhe vetëm 9 votuan kundër. Ndërkohë një mision faktmbledhës u caktua nga komisioni për të dëgjuar palët.
Kryetarja e Kuvendit iu drejtua Komisionit të Venecias me një letër për të marrë opinion nëse Gjykata Kushtetuese mund të imponojë një deputet se si duhet të votojë. Opinioni nga Komisioni i Venecias kërkohet për të qartësuar sjelljen me rastet që do të pasojnë, për të shmangur një tjetër përplasje mes dy institucioneve më të larta të shtetit shqiptar, Gjykatës Kushtetuese dhe Kuvendit.
Ndërkohë dje në seancë parlamentare, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi akuzoi kryetaren e parlamentit se po mbante të fshehur draft opinionin e komisionit të Venecias dhe se nuk kishte ftuar pjesëtarë të opozitës të ishin pjesë e grupit që do të jenë sot në Komisionin e Venecias. Spiropali në replikë tha se nuk e kishte shpërndarë draftin pasi nuk ishte publik dhe se opozitën nuk e kishte ftuar se pasi këta të fundit i kishin refuzuar ftesat.
Çfarë është Komisioni i Venecias?
Komisionit Evropian për Demokraci Nëpërmjet Ligjit i njohur si Komisioni i Venecias është një organ këshillues mbi çështjet kushtetuese, i cili u themelua më 1990.
Ky Komision, u ofrojë shteteve të caktuara ndihmë apo konsulencë kushtetuese duke u përpjekur të luajë rol pozitiv në menaxhimin e krizave. Detyra kryesore e Komisionit të Venecias, është të japë këshilla ligjore për vendet anëtare në lidhje me ligjet që janë të rëndësishme për funksionimin demokratik të institucioneve. Opinion-drafti që diskutohet dhe miratohet nga Komisioni i Venecias gjatë një sesioni plenar, bëhet në praninë e përfaqësuesve të atij vendi. Pas miratimit, opinioni bëhet publik dhe i dërgohet palës apo organit që e ka ngritur kërkesën./ S,M