Last Updated on 16/07/2026 by Anisa
Pas kompletimit të strukturave drejtuese të Partisë Demokratike, lideri i se djathtës shqiptare, Sali Berisha ka uruar të zgjedhurit e rinj në postet drejtuese.
Në një deklaratë për mediat, Berisha vlerësoi procesin e votimit në Këshillin Kombëtar të PD-së dhe u shpreh se partia është ripërtërirë me figura të reja dhe personalitete të spikatura.
“Jemi ripërtërirë me personalitetet më të shquara të fushave të tyre. Urime nga zemra të gjithë të zgjedhurve të rinj”, deklaroi Berisha, ndërsa uroi veçanërisht Flamur Nokën për rizgjedhjen si sekretar i përgjithshëm i PD-së.
Ai falënderoi gjithashtu ish-drejtuesit e partisë për kontributin e tyre dhe kandidatët që garuan për postet drejtuese, duke theksuar se vota e lirë do të vijojë të jetë baza e funksionimit të Partisë Demokratike.
Pjesë nga fjala e Sali Berishës:
Siç jeni informuar, mbrëmë u kompletua krijimi i institucioneve të Partisë Demokratike të Shqipërisë. Së pari, dua të falënderoj me mirënjohje të gjithë ish-bashkëpunëtorët e mi, Oerd Bylykbashi, Luçiano Boçi, Ivi Kaso dhe sekretarët e PD për kontributin e tyre të çmuar.
I garantoj se mbetem i vendosur për të vazhduar bashkëpunimin e gjithanshëm me ta. Të falënderoj Edi Palokën për kontributin e tij të çmuar dhe secilin prej atyre që kontribuoi katër vitet e shkuara.
Dua të uroj nga zemra ata që u zgjodhën me votën e lirë të Këshillit Kombëtar të PD. Shqiptarët kanë parë dhe shohin një forcë politike që ka vendosur votën e lirë të saj në themel të ndërtimit dhe funksionimit.
Uroj nga zemra Belind Këlliçin, Nikolla Kedhin, Erisa Bajazitin, të zgjedhur nënkryetarë të PD për herë të parë, personalitete të cilat përfaqësojnë shtresa dhe grupe të mëdha të shoqërisë shqiptare, të papërfaqësuara më parë në kryesi. T’i uroj sekretarit të përgjithshëm, Flamur Noka, rizgjedhjen me votën e Këshillit Kombëtar të PD në postin e lartë që mban.
Klevis Balliut, zgjedhjen sekretar organizativ.
Andi Mustadaj, zgjedhjen si sekretar për menaxhimin e burimeve njerëzore.
Marash Logu, sekretar për çështjet ligjore dhe zgjedhore.
Viola Kapedani, sekretare për marrëdhëniet me publikun.
Eva Metaj, sekretare për organizatat partnere dhe shoqërinë civile.
Fjoralba Dizdari, sekretare për integrimin evropian.
Sekretar për emigracionin dhe diasporën, Ethem Aga.
Sekretar për dixhitalizimin e PD, Etjon Kapedani.
Sekretar për infrastrukturën dhe territorin, Gentian Kaprata.
Sekretare për çështje të pronave dhe luftën kundër korrupsionit, Endira Bushati.
Sekretar për të drejtat e njeriut, Franc Nuri.
Sekretar për të përndjekurit politikë, Shkëlqim Lepenica.
Sekretar për pushtetin lokal, Ylli Asllani.
Sekretar për aksionin qytetar, Erges Eskiu.
Komisioni apo gjykata e partisë: Adriana Kalaja, Besart Logu, Shaqir Manjani, Suina Asllanaj, Gentian Koçi. Unë kam një falënderim të veçantë për të gjithë ata të cilët kandiduan për këto poste të rëndësishme. I garantoj për konsideratën time më të lartë dhe vlerësimin më të madh pavarësisht nga rezultati i këtij votimi. Shpresoj të vazhdojmë bashkëpunimin me ta si personalitete të shquara të PD.
Falënderoj zotin Gazment Bardhi dhe komisionin e votimit për punën serioze që bënë. Kam një ndjesë publike për zotin Lorenc Luka, i cili ka dërguar një mesazh me të cilin ai informon se nuk dëshiron të kandidojë, por mesazhi është lexuar me vonesë.
Ndaj dhe unë duke shprehur konsideratën time më të lartë për të gjithë kontributet e zotit Lorenc, e gjej të domosdoshme t’i kërkoj ndjesë për vendosjen e tij për shkak të leximit me vonesë të mesazhit që kishte dërguar. Pra, siç e shihni, ka një ripërtëritje të madhe me personalitete ndër më të shquarat të fushave të tyre në drejtimin e PD.
Kjo dëshmon vendosmërinë e kësaj partie për ripërtëritjen. Kjo dëshmon gjithashtu potencialet e saj shumë të mëdha. Kjo dëshmon gjithashtu votën e lirë si mekanizëm themelor të funksionimit të kësaj partie. Edhe njëherë, urimet më të përzemërta të zgjedhurve të rinj./ad
