Last Updated on 20/12/2024 by adminfjala
Institucioni i Komisionerëve Publikë njoftoi të premten më 20 dhjetor se depozitoi në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, KPA, ankimin e fundit ndaj vendimeve të KPK, gjatë këtij mandati 7-vjeçar. Ankimi është depozituar kundër konfirmimit në detyrë të prokurores së Tiranës, Eranda Laze dhe kërkohet shkarkimi i saj me argumentin se nuk arrin nivel të besueshëm. Komisioneri Florian Ballhysa, e ka bazuar ankimin në rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ONM, që më 6 dhjetor kërkoi paraqitjen e çështjes së prokurores Laze në Kolegj për shqyrtimin e problemeve të lidhura me pasurinë dhe etikën.
Gjatë seancës dëgjimore më 6 nëntor, Laze e kundërshtoi bilancin negativ të konstatuar gjatë hetimit administrativ paraprak në masën 10 milionë lekë, si dhe gjetjet për udhëtime me persona të përfshirë në krimin e organizuar, duke kërkuar konfirmimin. Laze u konfirmua në detyrë dy ditë më vonë me votat e kryesueses së trupës së KPK, Pamela Qirko dhe anëtares Alma Faskaj, të cilat u bindën me shpjegimet dhe provat e dorëzuara prej saj. Sipas shumicës, bilanci negativ mbetej në vlerën rreth 1.5 milionë lekë dhe nuk mund të sjelli penalizim.
Relatorja Xhensila Pine doli në pakicë duke çmuar se prokurorja Laze nuk arriti të provojë ligjshmërinë e burimeve për dy apartamente banimi në Tiranë, të blera për vlerën 81 mijë e 284 Euro dhe të një automjeti. Pine arsyetoi se pretendimet e prokurores Laze pas kalimit të barrës së provës se, burimi i krijimit të të ardhurave të deklaruara nga bashkëshorti nga emigracioni ishin edhe të ardhurat e familjarëve të tij po nga emigracioni, nuk mbështetej nga deklarimet periodike dhe as nga faktet e rezultuara nga hetimi administrativ./e.t