Banorët në shtetet e Gjirit u zgjuan të hënën në mëngjes me tingujt e shpërthimeve të reja, pas një nate sulmesh në gjithë rajonin ku Hezbollahu i mbështetur nga Irani u përfshi në konfliktin e zgjeruar.
Shpërthime në qytete kryesore: Ekipet e CNN-it në qytetet kryesore të Gjirit (Dubai, Abu Dhabi dhe Doha) raportuan se kishin dëgjuar shpërthime të hënën në mëngjes. Në kryeqytetin e Katarit, një fotoreporter i CNN-it filmoi pamje që duket se tregojnë raketa të interceptuara në qiell. Në Dubai, pati “dy shpërthime të njëpasnjëshme” dhe avionë që fluturonin sipër dhe ato që dukeshin si sisteme interceptuese.
Bahrein: Sirenat janë aktivizuar në të gjithë vendin, sipas Ministrisë së Brendshme.
Liban: Ushtria izraelite nisi një seri sulmesh në Liban, përfshirë kryeqytetin Bejrut herët të hënën. Ushtria izraelite tha se kishte goditur “terroristë të lartë të Hezbollahut në zonën e Bejrutit” dhe urdhëroi evakuime në 52 vendbanime në jug të vendit.
Izrael: Hezbollahu dhe Izraeli shkëmbyen sulme gjatë natës pasi Hezbollahu tha se kishte lëshuar “raketa dhe një tufë dronësh”ndaj një baze ushtarake izraelite në jug të Haifës “për hakmarrje” ndaj vrasjes së liderit suprem të Iranit. Ushtria izraelite tha gjithashtu se kishte interceptuar një predhë të lëshuar nga Libani, ndërsa të tjera kishin rënë në zona të hapura.
Kuvajt: Zhurma të forta u dëgjuan mbi Kuvajt herët të hënën sipas orës lokale, ndërsa mbrojtja ajrore interceptoi “dronë armiqësorë” që po afroheshin në vend përmes “rrugëve detare”, raportoi media shtetërore.
Iran: Raunde të shumta shpërthimesh u raportuan në kryeqytetin iranian Teheran dhe qytete të tjera gjatë natës. Pacientët u evakuuan nga një spital në veri të Teheranit të dielën pasi u dëmtua rëndë nga sulmet, raportoi media shtetërore iraniane.
Qipro: Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar tha se kishte reaguar ndaj një sulmi të dyshuar me dron në një bazë ushtarake britanike në ishullin mesdhetar lindor të Qipros./kb
