Deputeti i Partisë Demokratike Saimir Korreshi ka deklaruar se, edhe nëse Shqipëria do të shkonte në zgjedhje të parakohshme, ato do të fitoheshin sërish nga kryeministri Edi Rama. Komentet ai i bëri gjatë një interviste në emisionin Quo Vadis, në Vizion Plus.
I pyetur mbi një skenar të mundshëm dorëheqjeje të kryeministrit dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme, Korreshi u shpreh se vendi ka nevojë për një qeveri teknike.
“Po, sepse Shqipëria ka nevojë të ketë një qeveri kujdestare, teknike, e cila t’i japë kohë edhe SPAK-ut për të futur në burg të gjithë këta që kanë pastruar lekët,” deklaroi ai.
Ai shtoi se prej vitesh ka ngritur shqetësime për situatën ekonomike dhe qarkullimin e parave në vend.
“Unë kam 5 vjet që leh, që të gjithë lekët, ulja drastike e euros, me paleta, me kile… nuk ka më konvertim sa euro bën, por sa kile euro bën,” u shpreh deputeti demokrat, duke ngritur shqetësime për, siç tha ai, praninë e parave të mëdha në qarkullim.
Gjatë intervistës, Korreshi foli edhe për protestat në Lushnjë, duke theksuar se ato kanë bashkuar qytetarë pavarësisht bindjeve politike.
““Unë i kam bërë thirrje gjithmonë edhe Komisionit të Shëndetësisë për verifikimin e kushteve në spitale. Në Lushnjë kemi bërë pafund protesta, PD-ja ka bërë pafund protesta. Apo siç bëmë edhe para 2 javësh me mbi 1 mijë qytetarë të Lushnjës që u dyndën në ambientet e spitalit. Unë vet nuk fola, ua lash vendin qytetarëve. Erdhën edhe të majtë në atë protestë, sepse na lidhte një hall i përbashkët. Kur foli edhe Hoxha i qytetit, ishte një surprizë për mua. Nuk e kisha ftuar, vetëm përmes rrjeteve sociale e kishte marrë vesh dhe erdhi foli. Sepse kjo shkonte përtej të majtës dhe të djathtës”, tha Korreshi.
Një tjetër fokus i deklaratave të tij ishte siguria ushqimore dhe çmimet e produkteve bazë në vend. Korreshi ngriti shqetësime për diferencat e çmimeve dhe mungesën e kontrollit shtetëror.
“Kush është ky shtet që nuk e kontrollon këtë që ndodh? Domatja vjen me 50 lekë dhe shitet me 450 lekë për kg. Ke frikë të hash domate… Hyn kaq milionë litra vaj palme, ku shkon? Si hyri?”, deklaroi ai, duke shtuar se qytetarët përballen me çmime më të larta krahasuar me vendet fqinje.
Ai përmendi gjithashtu mungesën e subvencioneve për bujqësinë dhe shqetësimet mbi cilësinë e produkteve ushqimore që hyjnë në treg.
“Çfarë është kjo çmenduri që po ndodh me shqiptarët? Sepse duan të na heqin fare… Po s’qe burrë e grua, këtu do hash sufllaqe,” përfundoi Korreshi.
Deklaratat e deputetit vijnë në një kohë debatesh të shtuara politike dhe ekonomike në vend, ku opozita ka ngritur vazhdimisht shqetësime për situatën e çmimeve, kontrollin e tregut dhe funksionimin e institucioneve./a.d
