Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë mbajti mbledhjen e 73-të në këtë vit të kryesuar nga kryesuesi, Kreshnik Radoniçi.
Në këtë mbledhje, KQZ mori vendim për certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat janë mbajtur më 7 qershor 2026. Certifikimi i rezultateve u bë në ditën e 31 pas ditës së zgjedhjeve.
Para certifikimit, kryesuesi Radoniçi njoftoi se PZAP dhe Gjykata Supreme kanë përfunduar me trajtimin e ankesave të parashtruara në këto institucione kundër rezultateve përfundimtare të shpallura nga KQZ më 27 qershor 2026. Këto vendime nuk përmbajnë detyrime për KQZ-në, pasi 5 ankesat e parashtruara janë refuzuar.
Po ashtu, kryesuesi i KQZ-së, Radoniçi njoftoi se ka pranuar njoftimet nga dy kandidatët e zgjedhur nga subjekti politik Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini dhe Daut Haradinaj, se tërhiqen nga pranimi i mandatit të deputetit. Dy kandidatët e zgjedhur u zëvendësuan me kandidatët e radhës, Bekë Berisha dhe Burim Ramandani.
Në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat u mbajtën më 7 qershor 2026, morën pjesë 21 subjekte politike, prej të cilave: 17 parti politike; 3 koalicione dhe 1 kandidat i pavarur. Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar për deputetë ishte 902 kandidatë./ad
