Last Updated on 09/02/2026 by Monika
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura në Kosovë më 28 dhjetor 2025. Rezultatet zgjedhore u certifikuan pasi përfunduan të gjitha afatet për ankesa nga partitë dhe kandidatët lidhur me rezultatet përfundimtare të shpallura nga KQZ-ja në janar.
Ndërkohë pas certifikimit të zgjedhjeve, pritet që në ditët në vijim të zhvillohet seanca konstituive, që duhet të thirret nga presidentja Vjosa Osmani.
Kujtojmë se Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 51.10 % të votave, duke siguruar 57 vende në Kuvendin e Kosovës. Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 20.19% të votave, ose ndryshe 22 vende, Lidhja Demokratike e Kosovës 13.24%, pra 15 vende, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 5.5%, 6 vende.
Nga vendet e rezervuara për minoritetin serb, 9 i ka fituar Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, dhe një e ka fituar Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë./mxh
