Shtetet e Bashkuara u kanë bërë sërish thirrje liderëve politikë në Kosovë që të bashkëpunojnë për formimin e institucioneve të reja dhe tejkalimin e ngërçit institucional, duke respektuar Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit tha se udhëheqësit politikë duhet të punojnë së bashku për tejkalimin e situatës së krijuar.
“Ky ngërç i vazhdueshëm politik po rezulton në mundësi të humbura për Kosovën. Është koha që udhëheqësit t’i japin përparësi progresit dhe stabilitetit, në të mirë të të gjithë qytetarëve”, tha zëdhënësi.
Kjo është thirrja e dytë e ngjashme nga pala amerikane brenda një kohe të shkurtër. Më 12 gusht, edhe Ambasada e SHBA-së në Prishtinë u kishte bërë thirrje partive politike të bashkëpunojnë për tejkalimin e krizës institucionale, transmeton Klankosova.tv.
Thirrja e re amerikane vjen në një kohë kur Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituuar, pas zgjedhjeve të 7 qershorit.
Seanca konstituive e legjislaturës së re nisi më 6 gusht. Deputetët bënë betimin, por procesi nuk arriti deri te zgjedhja e kryetarit të Kuvendit.
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kërkoi kohë shtesë për konsultime me partitë, duke thënë se ende nuk kishte marrëveshje për formimin e institucioneve. Seanca u ndërpre dhe u caktua të vazhdonte më 8 gusht.
As në vazhdimin e 8 gushtit nuk pati kandidaturë për kryetar të Kuvendit. Kurti kërkoi përsëri kohë për konsultime, ndërsa gjatë seancës deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, hodhi vezë në drejtim të tij. Pas incidentit, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ndërpreu punimet.
Që atëherë, procesi ka mbetur i bllokuar. Dehari ka deklaruar se seanca e radhës do të thirret kur partitë të arrijnë një marrëveshje për zgjidhjen e krizës, duke argumentuar se pa një marrëveshje politike, vazhdimi i seancës do të ishte vetëm formalitet.
Përpjekjet për një marrëveshje
Në përpjekje për të gjetur një zgjidhje, më 18 gusht Kurti u takua me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun. Në fokus të takimit ishte edhe zgjedhja e presidentit të ardhshëm të Kosovës.
Pas takimit, të dy deklaruan se ekziston vullneti për të gjetur një zgjidhje. Ata u pajtuan që në takimin e radhës të shqyrtojnë edhe emra konkretë për president.
PDK-ja dhe Aleanca, ndërkaq, kanë kërkuar që seanca konstituive të vazhdojë pa pritur një marrëveshje politike.
Më 12 gusht, deputetë të këtyre dy partive u mblodhën në sallën e Kuvendit dhe kërkuan nga Dehari që të thërrasë vazhdimin e seancës. Gjatë këtij zhvillimi pati edhe përplasje verbale dhe fizike me deputetë të LVV-së.
Edhe BE-ja paralajmëron për pasojat
Thirrje për zgjidhjen e krizës institucionale ka bërë edhe Bashkimi Evropian. BE-ja ka kërkuar nga partitë politike që sa më shpejt të gjejnë një zgjidhje, duke paralajmëruar se ngërçi politik dhe vonesat në reforma mund të kufizojnë mundësinë e Kosovës për të përfituar nga mbështetja evropiane.
Në kuadër të Planit të Rritjes, Kosovës i janë vënë në dispozicion 882.6 milionë euro në grante dhe kredi të favorshme deri në fund të vitit 2027. Megjithatë, pagesat janë të lidhura me përmbushjen e reformave të përcaktuara në Agjendën e Reformave.
Komisioni Evropian ka përcaktuar 111 hapa reformues për Kosovën. Për 13 prej tyre, me një vlerë të përbashkët prej 90.8 milionë eurosh, afati i parë përmbushës ishte 30 qershori 2026. Ndërsa 27 hapa të tjerë, në vlerë prej 165.9 milionë eurosh, kanë afat deri në fund të dhjetorit.
Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ka vlerësuar se ngërçi i zgjatur politik po pengon përparimin e Kosovës në zbatimin e reformave dhe po vështirëson qasjen në financime të jashtme.
Përderisa partitë vazhdojnë përpjekjet për të gjetur një marrëveshje, institucionet e reja të Kosovës mbeten ende të pakonstituuara./ad
