Last Updated on 09/07/2026 by EL
Ish-deputetja Monika Kryemadhi është përfshirë në debate me prokurorin Sotir Kllapo gjatë seancës në GJKKO. Kryemadhi kërkoi pavlefshmërinë e provave të marra nga SPAK, edhe në një celular që asaj i është sekuestruar në banesë, duke thekuar se nuk mund t’i ushtrohej kontroll pa leje nga Kuvendi pasi në atë kohë ka qenë deputete.
Kryemadhi kërkoi nga SPAK që t’i vendosen në dispozicion të gjitha procesverbalet e mbajtura për ekspertimin e telefonit celular. Ndërsa, prokurori Sotir Kllapi deklaroi se të gjitha vendimet janë në fashikullin e vendosur në dispozicion të gjykatës, duke shtuar se nuk kanë qenë në dijeni që ky celular ishte i Kryemadhit, pasi është gjetur në banesën në emër të nënës së saj.
Në momentin e debateve, Kryemadhi deklaroi se akuza e ngritur ndaj saj është seksiste. Kryemadhi tha se SPAK pretendon se ajo bëntë çfarë i kërkonte Ilir Meta, ndërkohë tha se “ka bërë çfarë i ka dashur qejfi”.
Pjesë nga debati në GJKKO
Monika Kryemadhi: Do doja që SPAK të na vinte në dijeni për procesverbalin dhe çfarë vëzhgimi është bërë në telefonin e sekuestruar. E kemi kërkuar në të gjitha seancat. Mua më është mohuar e drejta për të qenë e barabartë në gjykim nga organi hetues. Kam firmosur vetëm procesverbalin e marrjes së 5 disqeve. Në to nuk ekziston, madje në diskun 3 janë disa file që nuk hapen. Ky telefon mbi të cilin është ngritur akuza, mbi çfarë ekspertimi është kryer? Këtë gjë nuk e kam në dosje, kur është ekspertuar, nga kush, çfarë është përftuar dhe mbi çfarë vendimi.
Sotir Kllapi: Të gjitha aktet e ekspertimit për të gjithë telefonat jo vetëm ai telefon që i referohet e pandehura, janë në fashikullin 62, në fashikullin 63 janë dy procesverbal të këqyrjes me të gjitha të dhënat. Janë dy procesverbale, jo një, me të gjitha të dhënat. Ne nuk e dinim që ky telefon ka qenë i znj Kryemadhi sepse telefoni është gjetur në banesën e Fatime Kryemadhit. Ne do mbajmë qëndrim më të plotë në seancat në vijim…. Si provë ka numrin 348.
Mbrojtja: Nuk jemi njoftuar, ndryshe nga veprimet e tjera që jemi njoftuar dhe kemi firmosur. Nëse është marrë vendim procedurial, si në rastin kontabël si në telefonin, duhet marrë një vendim që palët të firmosnin, pse nuk jemi njoftuar sipas procedurës penale, ku kemi të drejtën të mbajmë qëndrim. Të na e japi organi i akuzës dhe ne mbajmë qëndrimin tonë. Realisht nuk janë dorëzuar provat, vërtetohet që këto prova që pavarësisht se silleshin herë pas here, edhe sot që flasim kemi prova të pa marra. Nëse SPAK është i qartë për vendimet që ka marrë, ne në këtë fazë nuk jemi. Do kishim dhe të drejtën për të bërë memo, por ne nuk kemi provat. Të na vihen në dispozicion provat e aktet procedurale që dhe ne të dimë ku të fokusohemi.
Monika Kryemadhi: Marrim një provë dhe del provë tjetër, ajo që kam nxjerr unë nga telefoni, e para akuza është shumë seksiste sipas meje. Pretendon se Monika Kryemadhi në çdo aspekt bëja çfarë kërkonte bashkëshorti, ndërkohë unë kam bërë çfarë më ka dashur qefi. Me Edi Ramën kam komunikime pa fund, madje edhe bisedat me Pirro Xhixhon i kam njëherësh me Edi Ramën. Organi i akuzës nuk ka dënjuar ta marrë në pyetje Edi Ramën, ta pyeste të ka ardhur Kryemadhi apo Meta dhe të kanë kërkuar diçka për Adrian Shatkun, pse qenka Ilir Meta bashkëpunim me Kryemadhin, kur s’qenka Edi Rama dhe Aleksandër Meksin dhe Sali Berisha? Bashkëpunimi me Ilir Metën nuk është provë shkresore, bashkëpunimi me Ilir Metën kanë qenë vetëm 3 kalamajtë. Mesazhet me Edi Ramën kanë qenë bisedat për AKEP-in me Kryemadhin, pse s’merr SPAK mesazhin që Rama i kërkonte Kryemadhit mbarëvajtjen e marrëveshjeve për Lezhën, hipotekën, Vlorën, pse s’ka marrë Taulant Ballën? Mesazhin në adresë zyrtare me Engjëll Agaçin. Prandaj them se është akuzë seksiste, që do të thotë se ka qenë e varur nga Ilir Meta, por jo, kam qenë e pavarur./et
