Last Updated on 29/04/2026 by Anisa
Pavarësisht nëse lidhet me gastronominë dhe kulturën, atraksionet dhe monumentet e reja moderne, fuqinë e rrjeteve sociale, apo edhe dëshirën për t’u larguar prej tyre, destinacionet më pak të njohura po bëhen gjithnjë e më të kërkuara nga udhëtarët.
Kjo përfshin qytete të dyta, qyteza më të vogla bregdetare dhe rurale, apo kryeqytete që dikur anashkaloheshin.
Ky është pikërisht rasti i destinacioneve në rritje të evidentuara nga Tripadvisor’s Summer Travel Index, një listë vjetore e destinacioneve që po shënojnë rritjen më të madhe nga viti në vit të volumit të kërkimeve nga udhëtarët britanikë.
Lista bazohet në të dhënat e faqes së Tripadvisor, konkretisht për udhëtime të planifikuara midis muajve qershor dhe gusht.
Spanja vijon të mbetet destinacioni kryesor i verës, me Alicante që renditet në vendin e parë.
Plazhet e Barcelonës dhe Mallorcës kanë qenë gjithmonë shumë të kërkuara, por Alicante po ngjitet në mënyrë të qëndrueshme si një konkurrent i fortë, duke ofruar të njëjtën parajsë me palma, plazhe urbane dhe jetë nate të gjallë.
Ajo është gjithashtu shtëpia e një arkipelagu të vogël, ishullit Tabarca, që ofron shumë qetësi dhe produkte të freskëta deti.
Fshati portugez i peshkimit, Alvor, renditet i dyti në listë. Fshati ndodhet në zemër të Algarves, rajoni bregdetar jugor i Portugalisë, i njohur për plazhet e tij.
Destinacionet në Spanjë, Playa de Palma dhe Malaga, renditen përkatësisht në vendin e tretë dhe të katërt.
Popullariteti i Malagës nisi të rritej më shumë se 20 vjet më parë, me hapjen e Muzeut Picasso, dhe që prej atëherë ka tërhequr udhëtarët që kërkojnë diell dhe art.
Në këtë renditje, Shqipëria përfaqësohet nga Ksamili, i cili renditet në vendin e pestë ndër destinacionet europiane në trend për verën 2026.
Përfshirja e Ksamilit në listën e Tripadvisor tregon se Riviera Shqiptare vijon të fitojë vëmendje në tregun britanik të udhëtimeve, duke u pozicionuar mes destinacioneve më të kërkuara të sezonit veror.
Ksamili renditet përpara destinacioneve të njohura europiane si Krakova në Poloni, Sitges në Spanjë, Rodosi në Greqi, Budapesti në Hungari dhe Dublini në Irlandë.
Destinacione të tjera të njohura në listë përfshijnë kryeqytetin historik të Polonisë, Krakovën, Budapestin me banjat dhe spa-të e tij të famshme, si dhe Dublinin, për ata që kërkojnë peizazhe më të gjelbra dhe birra Guinness në vend të rërës së plazhit dhe kremit mbrojtës nga dielli.
Tripadvisor’s Summer Travel Index 2026:
- Alicante, Spanjë
- Alvor, Portugali
- Playa de Palma, Majorka, Spanjë
- Malaga, Spanjë
- Ksamil, Shqipëri
- Krakovë, Poloni
- Sitges, Spanjë
- Rodos, Greqi
- Budapest, Hungari
- Dublin, Irlandë
/ Time Out
