Botërori 2026 ka qenë ai që ka sjellë një numër shumë të madh ndryshimesh në pankinat e skuadrave pjesëmarrëse, me trajnerë që kanë dhënë dorëheqjen apo janë shkarkuar menjëherë pasi skuadrat përkatëse kanë mbyllur rrugëtimin e tyre në këtë turne. Por duket se një nga këto histori, nuk do të përfundojë me ndryshim në pankinë.
Një nga trajnerët që dha dorëheqjen pas përfundimit të aventurës në Botëror ishte edhe portugezi Karlos Kueiroz, i cili ishte në drejtimin e Ganës gjatë këtij aktiviteti. Trajneri i njohur, edhe pse ia doli që me ekipin të kalonte fazën në grupe, pa ëndrrën e tij të shuhej në fazën 1/16, ku skuadra u eliminua nga Kolumbia.
Kueiroz dha menjëherë dorëheqjen nga drejtimi, por një javë pas asaj ndeshje, situata duket se ka ndryshuar. Ministria përgjegjëse për sportin në Ganë, mendon se Kueiroz është emri i duhur për të vazhduar në drejtimin e ekipit dhe raportohet se palët janë pranë akordit për zgjatjen e bashkëpunimit të paktën deri në përfundimin e kualifikuesve të Kupës së Kombeve të Afrikës 2027./mxh
