Në 13 prill të vitit 1953, drejtori i CIA-s Allen Dallës nis programin e kontrollit te mendjes MKULTRA
Nga Leonard Veizi
Në vitin 1953, në kulmin e paranojës së Luftës së Ftohtë, CIA, nën drejtimin Allen Dallës, hodhi themelet e asaj që sot mbetet një nga njollat më të pashlyeshme në historinë e demokracisë perëndimore: Project MKUltra. E ushqyer nga frika obsesive ndaj teknikave të supozuara të “larjes së trurit” nga blloku Lindor, kjo nismë nuk u mjaftua me mbrojtjen e interesave strategjike. Ajo rrëshqiti me vetëdije të plotë në një humnerë etike, duke e shndërruar “sigurinë kombëtare” në një alibi cinike për një agresion sistematik mbi integritetin njerëzor.
Laboratori i shpërbërjes
MKUltra ishte një laborator i ftohtë dhe i hapur i shpërbërjes së vullnetit. Përdorimi i LSD-së, hipnozës dhe izolimit sensor nuk synonte dijen, por thyerjen e individit. Në këtë skenografisë të errët, qytetarë të zakonshëm, pacientë spitalesh dhe të burgosur nuk trajtoheshin si qenie njerëzore, por si “material biologjik” pa dinjitet.
Monstruoziteti i këtij projekti kulmoi te tradhtia e parimit bazë të lirisë: mungesa e pëlqimit. Kur institucioni që kushtetutshmërisht duhet të jetë mburoja e lirisë, depërton pa leje në skutat më intime të ndërgjegjes, ai pushon së qeni garant i rendit demokratik. Në atë çast, shteti pushon së qeni shërbyes dhe kthehet në një predator të sofistikuar që ushtron një dominim absolut e të padukshëm.
Amnesia e detyruar
Hetimet e viteve ’70 nga “Komisioni Church” zbuluan një të vërtetë sa tronditëse, aq edhe parashikueshme: aftësinë e frikshme të makinerisë shtetërore për të gllabëruar gjurmët e veta. Shkatërrimi i qëllimshëm i dokumenteve përpara hetimeve dëshmon se abuzimi nuk ishte një “aksident” rrugës, por një strategji e mirëmenduar.
Kjo kulturë e mosndëshkimit dhe amnezisë së imponuar tregon se krimi i vërtetë nuk mbaroi me ndalimin e eksperimenteve, por vazhdoi me përpjekjen për t’i zhdukur ato nga memoria kolektive. Një shtet që fsheh të kaluarën e tij eksperimentale, ruan në sirtar mundësinë për ta përsëritur atë.
Nga LSD-ja te algoritmet
MKUltra nuk duhet arkivuar si një relikt i vjetër i shekullit të kaluar. Ai shërben si një thirrje urgjente për vigjilencë në epokën tonë. Sot, kur mjetet e manipulimit të mendjes kanë kaluar nga kimisë te teknologjia digjitale dhe algoritmet e kontrollit të sjelljes, rreziku është më i pranishëm se kurrë.
Paranoja shtetërore mbetet po aq helmuese sa çdo kërcënim i jashtëm.
Etika nuk është një dekoratë për kohë paqeje, por vija e fundit e mbrojtjes që ndan demokracinë nga tirania e kamufluar.
Nëse “siguria kombëtare” vazhdon të përdoret si kartë e bardhë për të zhveshur individin nga autonomia e tij mendore, ajo humbet çdo legjitimitet. Pa llogaridhënie radikale dhe transparencë absolute, MKUltra nuk është më një kapitull i mbyllur, por një manual i fshehur që pret krizën e radhës për t’u rishfaqur në forma edhe më të sofistikuara. Mendja e njeriut duhet të mbetet kështjella e fundit e paprekshme; asnjë flamur shtetëror nuk ka të drejtë të ngrihet mbi rrënojat e saj.
